Kampi famëkeq i Tepelenës, ku u internuan familjet që kundërshtonin regjimin komunist të Shqipërisë, u mbyll në vitin 1954 pasi vdiqën disa qindra fëmijë. Tani autoriteteve po u kërkohet ta kthejnë vendin e braktisur në një muze përkujtimor.
Klara Merlika kaloi 45 vjet në kampet e paraburgimit nën regjimin represiv komunist të Shqipërisë. Në moshën 90-vjeçare, ajo është një nga të paktat e mbijetuara të gjalla.
Merlika këto ditë ka vështirësi me dëgjimin si dhe probleme të tjera shëndetësore, por thotë se misioni i saj në jetë është të flasë me këdo që dëshiron të dijë se si ishte jeta në kampe.
Familja e saj u internua në vitin 1945 sepse ishin “kundërshtarë të regjimit”, tha ajo. Në atë kohë, ajo ishte vetëm shtatë vjeçe, por ende mban mend detaje të jetës së përditshme në kamp.
“Internimi im filloi kur ishim në qytetin e Shkodrës; në qershor 1945, erdhën dhe na çuan në kamp. Isha në klasën e dytë ose të tretë të shkollës fillore”, tha ajo për BIRN.
“Nuk na lanë të merrnim asgjë personale, as për familjen tonë, as për fëmijën e vogël që ishte tre javësh.”
Merlika kujton se ishte ende e veshur me rrobat e shkollës në ditën e parë të internimit, kur ata u dërguan fillimisht në një kamp në Berat.
Ajo ka kujtime veçanërisht të gjalla nga kampi famëkeq i Tepelenës në Shqipërinë e jugut, ku familja e saj u mbajt nga viti 1949 deri në vitin 1954 – për aq kohë sa kampi ishte funksional.
Të mbijetuarit e kampit dhe organizatat që hulumtojnë të kaluarën represive komuniste të Shqipërisë kanë kërkuar nga autoritetet që ta ruajnë kampin e Tepelenës tashmë të rrënuar dhe ta shndërrojnë në një muze kujtese. Madje, një deputet i opozitës ka paraqitur projektligj, por autoritetet nuk kanë reaguar.
“Ishim skllevër pune”
Merlika tha se koha e saj në kampin e Tepelenës, ku humbën jetën qindra fëmijë për shkak të kushteve të rënda, ishte një nga periudhat më të vështira të jetës së saj.
Ajo kujton se familja e saj u dërgua në Tepelenë në vitin 1949, në një moshë kur ajo duhej të shkonte ende në shkollë.
“Në fillim na çuan në Turan (një fshat i Tepelenës). Turani ishte në mes të një mali djerrë në mes të askundit, ku kishte varre ushtarësh (nga Lufta e Dytë Botërore), në kazermat ku kishin qenë ushtarët, ata i përdornin ato kazerma për ne”, tha ajo.
Të internuarit në kamp përdoreshin për punë të detyruar për autoritetet komuniste. Menjëherë pasi mbaroi klasën e shtatë në shkollë, kur ishte rreth 13 vjeçe, Merlika u dërgua në punë “si gjithë të tjerët”.
“Kishte bukë misri dhe ata u jepnin vetëm 400 gramë njerëzve që nuk punonin dhe fëmijëve. Ata që punonin merrnin 600 gramë”, kujton ajo.
Të internuarit detyroheshin të transportonin pllaka të rënda guri dhe të bënin punë në ndërtim.
“Ne ishim skllevër pune, asgjë më shumë”, tha Merlika. “Çdo të diel merrnim të gjitha gjërat, dilnim jashtë për të pastruar kazermat. Në shi, diell dhe borë.”
Racionet e ushqimit ishin të pakta dhe fasulet që u jepeshin të internuarve ishin të mbushura me miza, ajo kujtoi: “Bëmë sikur nuk i shihnim; ose do të haje ose do të vdisje. Kishte vetëm dy opsione.”
“Shumë të moshuar që ishin të uritur lanin enët në kazermë dhe shpesh shkonin atje për të mbledhur makaronat e mbetura që mund të gjenin atje.”
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit tha për BIRN se rreth 1,500 familje u dërguan në kampin e Tepelenës nga regjimi komunist shqiptar nga viti 1949 deri në vitin 1954.
Kushtet sanitare dhe kujdesi shëndetësor në kamp ishin të dobëta, gjë që kombinuar me dietën e mjerueshme soolli një shkallë të lartë vdekshmërie të fëmijëve.
“Edhe pse ka pak dokumente, ato tregojnë se gjatë viteve 1949-1950 janë raportuar raste vdekjesh nga dizenteria. Ndërkohë nga tetori i vitit 1950 deri në dhjetor të po atij viti, numri i fëmijëve u ul me 285, dukuri që nuk haset në kampe të tjera të ngjashme”, tha zëdhënësja Migena Dermixhi.
Dokumenti i referuar nga Dermixhi tregon gjithashtu se numri i fëmijëve në kamp ra nga 460 në janar 1950 në 164 në dhjetor të po atij viti.
Gentiana Sula, kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, tha se dokumentet tregojnë se në kamp kishte një epidemi tifoje.
“Kemi statistika të dëshmuara përmes arkivave që disponojmë, ku flitet për përmasën e madhe për epidemi për fëmijë që janë nënshtruar, fëmijët, gratë dhe pleqtë për dispanseri”, tha Sula në një takim përkujtimor në Tepelenë në gusht.
Dermixhi tha se disa studiues besojnë se ishte shkalla e lartë e vdekshmërisë së fëmijëve në Tepelenë ajo që detyroi drejtuesit e lartë komunistë të merrnin vendimin në fund të vitit 1953 për të mbyllur kampin dhe kampet e tjera ku të burgosurit mbaheshin pas gardheve me tela me gjemba. Megjithatë, kampet “e hapura” pa tela me gjemba, ku mbaheshin të burgosurit nga regjimi komunist, nuk u mbyllën.
“Një detyrim moral ndaj të pafajshmëve”
Ish të burgosurit e kampit të Tepelenës dhe Burgut të Spaçit, një tjetër burg famëkeq i epokës komuniste, besojnë se ata duhet të ruhen si vende kujtese dhe të kthehen në muze për të treguar realitetin e represionit nën sistemin komunist të Shqipërisë. Ndërtesat në të dy qendrat e paraburgimit janë përkeqësuar me kalimin e viteve.
Në qershor 2022, deputeti i Partisë Demokratike të opozitës, Enkelejd Alibeaj, dërgoi në parlament një propozim për një projektligj për kthimin në muze kombëtar të kampit të Tepelenës dhe burgut të Spaçit. Megjithatë, deri më tani, nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet.
“Ka kaluar më shumë se një vit dhe mazhoranca qeverisëse po pengon miratimin e këtij projektligji”, tha Alibeaj për BIRN.
Ai tha se qeveria nuk ka ndarë para në buxhetin e vitit 2023 për financimin e propozimit.
“Kjo është shenja më e qartë se qeveria nuk do ta miratojë këtë projektligj”, argumentoi ai.
Alibeaj tha se nuk mund të specifikonte se sa do të kushtonte projekti, sepse ky lloj vlerësimi është çështje e Ministrisë së Financave, nëse miratohet legjislacioni për ta kthyer vendin në muze.
Ndryshe nga kampi i Tepelenës, Burgu i Spaçit është shpallur monument kulture – i vetmi vend i represionit komunist në vend që i është dhënë ky status – por propozimet për krijimin e një muzeu përkujtimor atje janë penguar edhe nga mungesa e fondeve.
Armanda Hysa, një historiane dhe antropologe, zëvendësdrejtore e Institutit të Studimit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, tha për BIRN se beson se Tepelena duhet të ruhet si një vend historik.
“Është shumë e rëndësishme, pasi disa rrënoja të këtij kampi kanë mbetur ende këtu, ndryshe nga të tjera që janë zhdukur. Sa më serioze trashëgimia që përfaqëson ky kamp, aq më e rëndësishme është që ai të shndërrohet në muze”, tha Hysa.
Gazetarja Admirina Peçi, e cila mbulon trashëgiminë e komunizmit në Shqipëri, argumentoi se është e rëndësishme që kampi i Tepelenës dhe të tjerë si ai s’duhet të harrohen.
“Është pjesa më e errët në historinë e krimeve të komunizmit dhe si e tillë, është mbi të gjitha një detyrim moral ndaj atyre mijëra të pafajshmëve (të cilët u burgosën) që historia e tyre të mos shuhet në harresë”, tha Peçi për BIRN.
Pasi u largua nga kampi i Tepelenës me familjen kur ai u mbyll në vitin 1954, Klara Merlika qëndroi në paraburgim deri në vitin 1990, vit kur sistemi komunist në Shqipëri filloi të binte.
Një nga kujtimet e saj nga Tepelena është se si të burgosurit, përfshirë fëmijët, dehumanizoheshin.
“Në kamp, të burgosurit duhej të bënin gjithçka që i duhej shtetit”, tha ajo. “Ne nuk quheshim njerëz më, ne quheshim njerëz qe duhesh përdor si të kishte qejf shteti për ne.”/Reporter.al/