Erzeni ka provuar për herë të parë këtë sezon shijen e fitores në kampionatin shqiptar, teksa mundi 2-1 Dinamo Cityn, në takimin e javës së katërt të mbajtur në Rrogozhinë.
Takimi fillon me polemika, teksa ekipi nga Shijaku reklamoi një penallti pas rrëzimit të Peposhit në zonë, por për arbitrin nuk kishte asgjë të parregullt. Në minutën e 26-të, Maliqi shfrytëzon në mënyrë perfekte një top të ardhur nga krahët, teksa me një goditje të bukur dërgon sferën pas shpinës së portierit dinamovit.
Erzeni shkoi në dhomat e zhveshjes me avantazhin në xhep, por fillimi i pjesës së dytë nuk do ishte i mirë për ta, pasi Zabërgja vendosi ekuilibrat, duke rikthyer edhe një herë gjithçka nga fillimi. 22-vjeçari finalizoi me sukses një aksion me shumë pasime, për t’i dhënë kështu skuadrës zemër për pjesën e mbetur të takimit.
12 minuta nga fundi, portieri i Dinamo City shkakton 11-metërsh pas një ndërhyerje të gabuar ndaj kundërshtarit. Kahrimanovic shndërroi në gol penalltinë,duke ndezur festën e madhe te Erzeni. Skuadra e Deliallisit renditet në vendin e pestë ndërsa djemtë e Di Biagos janë në vendin e tetë.
()