Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se indeksimi i pensioneve prej 8.6 % në muajt e ardhshëm, siç ka paralajmëruar qeveria, është i papërballueshëm për shkak se çmimet në muajt e fundit janë rritur deri në 13.5%.
Ai tha se qeveria duhet të miratojë në Parlament ligjin për minimumin jetik, një draft i të cilit është propozuar edhe nga opozita.
“Sirenat e dhimbjeve të skamjes, urisë dhe varfërisë po bien në çdo qoshe në të katër anët e vendit. Shqiptarët çdo muaj përballen me rritje çmimesh. Ushqimet sot janë më të shtrenjta se në Itali, në Greqi, janë sa në Gjermani dhe janë 7% më të shtrenjta në mesataren e vendeve të BE-së. Rritja e çmimit të ushqimeve sipas statistikave zyrtare është 11.5%, sipas statistikave reale është 13.5% dhe kjo godet në mënyrën më të egër pensionistët, të papunët dhe familjet me ndihmë ekonomike.
Këto çmime e bëjnë Shqipërinë një vend të pajtueshëm, e bëjnë jetën të pa përballueshme. 48% e totalit të pensionistëve shqiptarë janë me pagesa të pjesshme. Në vitin 2022 nga 481420 përfitues të pensionit të pleqërisë 231722 prej tyre janë me pagesë të pjesshme”, tha Berisha.
Sipas tij; “Vendimi i qeverisë për indeksimin e pensioneve në masën 8% është një hipokrizi në sensin që nuk indekson as inflacionin. Kjo përqindje është 3 përqind më e ulët se vlera zyrtare e inflacionit dhe 5.5% më e ulët se vlera reale e inflacionit. Në të gjitha aspektet ka vetëm një zgjidhje emergjente, vendosja e minimumit jetik për të gjithë shqiptarët. E llogaritur kjo nga Avokati i Popullit është përgjigjja e vetme, e domosdoshme ndaj situatës alarmante të krijuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetës së qytetarëve. PD ka dorëzuar në Kuvend ligjin për minimumin jetik. Ajo do të bëjë të gjitha përpjekjet për votimin e këtij ligji, i cili është plotësisht i përballueshëm. KLSH ka gjetur se në një vit qeveria ka vjedhur dhe shpërdoruar 130 miliardë lekë. Në qoftë se vetëm 40% e këtij fondi do kursehej, minimumi jetik vendosej duke filluar nga muaji i ardhshëm. Vendosja e minimumit jetik 200 euro për person përballohet pa asnjë vështirësi”, tha Berisha.
()