Tirana thuajse ka qenë pefekte në katër javët e para të këtij sezoni, duke fituar 3 ndeshje dhe barazuar një në transfertë kundër Teutës. Ndonëse nuk kanë shkëlqyer në lojë dhe kanë pësuar gol në çdo sfidë, bardheblutë kanë përmbushur pritshmëritë dhe final 4 nuk duket aspak problem.
Në 11 vitet e fundit është hera e tretë që Tirana ndodhet me 10 pikë dhe kërkon të përsërisë sezonin 2019-2020 kur u shpall kampione. Për Orges Shehin ky është starti më i mirë si trajner, pavarësisht se ai vijon të jetë qortues për të tijtë, pasi në disa fragmente lojë skuadra humb vëmendjen dhe pëson.
Interesant është fakti se 3 nga katër sfidat e para Tirana i ka luajtur në transfertë. Pra, mentaliteti bardheblu është krijuar i tillë që luhet për maksimumin në çdo sfidë. Synimi më i afërt është të kalojmë me sukses Erzenin në “Selman Stërmasi” të premten, për të qenë të qetë dhe jo nën presion për derbin me Partizanin, që do të luhet të martën në mbrëmje.
Kjo sfidë, përveç prestigjit dhe rivalitetit historik me të kuqtë, do të jetë edhe barometri më i mirë i kësaj Tirane, të paktën në fazën e parë. Ngjeshja e kalendarit nuk duket problem për Tiranën, që duket se ka organikë dhe alternativa më të shumra krahasur me ekipet e tjera. Starti ka qenë i mirë, tani të shohim vijimin.
()