Ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit ka lëshuar akuza në drejtim të maxhorancës, se po tenton që të futet në punët e brendshme të PD-së.
Ai tha se po tentohet që të vendoset për opozitën, në një kohë kur nuk lexohet një shkresë e depozituar nga Kreu i grupit.
“Në këtë seancë, deputetë të dalë nga krimi dhe droga, përpiqen që të imponojnë për opozitë atë që duan ata, të zgjedhin dhe opozitën tuaj. Nuk ka seancë më të shëmtuar dhe skenë më të shëmtuar se kjo. Nuk ka asgjë më të shpifur se kjo. Rregullat elementare i shkelmoni në akte të pastra armiqësore ndaj opozitës, por ajo përfaqëson shumicën e shqiptarëve sot. Ju jeni të aftë për çdo shkelje ligjore. Skena të tilla, inskenime të tilla s’ka ndodhur kurrë, por akte të tilla që përpiqeni që të emëroni opozitën dhe t’i merrni të drejtën udhëheqësve të opozitës se kush do t’i përfaqësojë ata në këtë parlament, s’ka ndodhur kurrë. Si nuk lexon ti shkresën e grupit parlamentar të opozitës. A keni cipë dhe turp? Mbi ç’bazë funksionon një parlament pluralist. Po tejkaloni çdo ditë çdo limit. Përfundoi koha, por jo krimi juaj. Ju shkelmoni pluralizmin. Po silleni si bandë. Ku e keni parë ju të ketë ndodhur kjo?!”, tha Berisha.