Zbardhet kërkesa e opozitës për hetimin parlamentar të të dhënave personale që kanë rrjedhur nga bazat e të dhënave shtetërore.
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisoni hetimor për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS.
Përmes një deklarate nga salla e konferencave të Kuvendit sot ai u shpreh se duhet të nxirren përgjegjësit institucionalë në lidhje me rrjedhjen e të dhënave, ndërsa po ashtu theksoi se e drejta e komisionit hetimor i takon opozitës.
Gazetari Osman Stafa raportoi për “” se Komisioni Hetimor kërkon të hedhë dritë mbi skandalin e patronazhistëve, publikimin e pagave, publikimin e targave të makinave, nxjerrjen e llogarive bankare dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS.
Kërkesa është firmosur nga 45 deputetë të opozitës.
“…ne, një grup deputetësh, jo më pak se ¼ e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 77, pika 2 të Kushtetutës dhe nenin 25, pikat 1 dhe 2 Rregullores së Kuvendit,
KËRKOJMË.
1. Ngritjen e një Komisioni Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave Personale në Bazat e të Dhënave Shtetërore.
2. Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij: (i) shqyrtimin e të gjitha problematikave të deritanishme dhe kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen e të dhënave personale: dhe (ii) vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për mbrojtjen e të dhënave personale dhe bazat e të dhënave shtetërore.
3. Komisioni do të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
4. Komisioni e ushtron veprimtarinë për një afat 6-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi.
5. Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt”, thuhet në kërkesën e opozitës.