LEZHË
Bashkëpunëtorë për transportimin me 2 automjete, kundrejt 500 eurove/person, të 12 emigrantëve nga Vendet e Treta, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen 2 automjetet me të cilat kryhej transportimi.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se dy shtetas po bashkëpunonin për të transportuar kundrejt pagesave, disa emigrantë që synonin të kalonin kufirin, ilegalisht, është finalizuar operacioni policor i koduar “Bllokada”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit E. J., 45 vjeç, banues në Kavajë dhe K. U., 32 vjeç, banues në Krujë.
Në aksin rrugor “Milot-Lezhë”, janë lokalizuar dhe ndaluar për kontrolle, automjetet tip “Benz” dhe tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasit E. J. dhe K. U. Në këto automjete ishin në total, 12 emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët po transportoheshin nga 2 të arrestuarit, kundrejt 500 eurove/person, me qëllim kalimin e kufirit, në mënyrë të kundërligjshme.
Me cilësinë e provës materiale, u sekuestruan automjetet tip “Benz” dhe tip “Volkswagen”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.