Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 22”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale D.P., 35 vjeç që do të transportonte me një furgon, në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 200-400 euro për person, 27 emigrantë që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën. Sakaq procedohen në gjendje të lirë 27 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe sekuestrohet furgoni dhe 2 celularë.
Në afërsi të liqenit të Farkës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 27 emigrantë dhe në afërsi të tyre, shtetasin D. P., i cili do t’i transportonte emigrantët, drejt Kukësit, me një automjet furgon. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 35-vjeçari i arrestuar, iu kishte premtuar transportimin nga Korça në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 200-400 euro për person, 27 emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe që synonin të kalonin po në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për 27 emigrantët, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.