Mbahen sot zgjedhjet për kryebashkiakun e ri të Kukësit. Në garë janë kandidati socialist Albert Halilaj, i cili garon përballë Emri Vatës, kandidat i Aleancës ‘Bashkë Fitojmë’, pasi PD-ja zyrtare nuk mori pjesë në votime. Ashtu siç e përcakton dhe rregullorja e KQZ-së, qendrat e votimit janë hapur që prej orës 07:00, ndërsa do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
Kujtojmë se në këtë qark përsëriten zgjedhjet, pas shkarkimit të Safet Gjicit nga posti I kryebashkiakut, për shkak të një videoskandali në zyrën e tij. Në zgjedhjet e pjesshme vendore në Kukës do të votohet vetëm me një fletë votimi për kandidatin e bashkisë. Sipas KQZ-së të regjistruar në listat e votimit janë 45 946 zgjedhës, 22 174 prej të cilëve janë votuese femra dhe 23 772 janë votues meshkuj.
Në këto zgjedhje janë regjistruar si subjekte zgjedhore 5 parti politike, PS, PL, PD, PDK dhe PEI. Po ashtu është regjistruar si subjekt zgjedhor edhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Zgjedhësit do të kenë mundësi të votojnë në 74 qendra votimi, 1 prej të cilave është ngritur në institucionin e paraburgimit të qarkut Kukës. Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 74 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
Zgjedhësi do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.
Për sa i përket komisioneve të qendrave të votimit, në 37 qendra votimi 4 anëtarë të komisionit ndahen mes PD-së dhe PL-së. Ndërsa në 37 qendra të tjera të votimit përbërja e komisioneve të qendrave të votimit është me 3 anëtarë të propozuar nga PS, 3 anëtarë të propozuar nga PD dhe 1 anëtar të propozuar nga PL. Për sa i përket grupeve të numërimit, do të ngrihen 5 grupe numërimi ku 2 anëtarë të grupit të numërimit do të jenë nga PS, 1 anëtar nga PD dhe 1 anëtar nga PL. Këto zgjedhje do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 25 457 496 lekë.
()