16 vjet pa At Zef Pllumin, Spiropali: Kontribuoi për të mbajtur lidhjen e Shqipërisë me Europën

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka vlerësuar figurën e At Zef Pllumit si një ndër personalitetet e mëdha me një ndihmesë të jashtëzakonshme që kombi ynë të jetë sa më i fortë e i denjë, e këtë e ka bërë me shembullin e me ligjërimin e tij.

Në 16-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, Spiropali theksoi se ai ka kontribuar për ta mbajtur lidhur Shqipërinë me Europën.

“Ai, si bashkëvellezërit e tij meshtarë, përbëjnë atë ‘kordon ombelikal’ që siç e shpjegon bukur Kadareja te ‘Dante i pashmangshëm’, ka kontribuar për ta mbajtur lidhur Shqipërinë me Europën. Këtë përpjekje për një ndërlidhje sa më të fortë të kulturës shqiptare me atë perëndimore, At Zefi e ka shprehur: ‘Nigjo Ismail, historia jonë është një histori llogoresh, sot unë e ti gjindna bashkë në të njajtën llogore në mbrojtje të kulturës dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve dhe e kam për nder’”, shtoi ajo.

Spiropali u shpreh se “kjo tendencë e kulturës shqiptare drejt asaj europiane nuk mund të ishte ‘fetare’ si e tillë, por natyrale e kombit, ndaj At Zefi, në veprën e tij monumentale ‘Rrno për me tregue’ e ka shtjelluar faktin se të trija fetë në Shqipëri, dashurinë për Zotin e kanë përkthyer në një model të përkryer të dashurisë për kombin e për njeriun”.

“Dëshmitë e tij për miqësitë me imamët e burgosur janë ndër faqet më te bukura të memuaristikës shqiptare. E gjithë publicistika e At Zefit është një epope e kërkimit të lirisë. Në tre vëllimet dëshmohet lufta e tij shpirtërore për lirinë jo vetëm si koncept vetjak por sidomos për njeriun si të tillë e mbi themelin e saj hyjnor e njerëzor. Paqja nuk vjen me dhunë e as me hakmarrje por me drejtësi e falje, predikoi deri në fund të jetës tokësore Frati”, u shpreh Spiropali.

“Kisha Katolike e ndalon përfshirjen direkte ne politikë të meshtarëve, por ai nuk mund të ishte indiferent me vokacionin e tij dhe me dramën e tij: ishte në burg për 28 vite me akuzë politike. Politika kishte hyrë thellë në ndërgjegjen e tij herë si monstër dënuese, e pas rënies së komunizmit si mjet lirie e dinjiteti, kur ajo ka misionarët e duhur. Nuk hezitoi kurrë të kritikojë ashpër politikanët, e sidomos ish-komunistët e betuar që bënin be e rrufe për demokracinë. Për politikanët që e ruajnë si thesar në mbamendjen tonë politike e shpirtërore ka për të mbetur përherë si udhërrëfyes në ecjen tonë politike që hera herës është aq e vështire e plot mëdyshje”, theksoi ajo.

“Në fund një kujtesë për atë çka u dhuroi disa politikanëve e intelektualëve – miqësinë e tij. Miqësia në kontekstin kulturor shqiptar ka pasur njëfarë ngjashmërie me të konceptuarit antik të kësaj ndjenje: ajo ishte ndër afritë e dashamirësitë më të plota të dashurisë njerëzore dhe një shkollë virtyti. Janë të shumta rastet në trashëgiminë gojore dhe të shkruar mbi vlerën sipërore që kultura shqiptare i ka dhënë miqësisë. Madje më ngjan sikur në shqip tejshquhet barazvlefshmëria midis mikut si i tillë dhe atij që shkon si bujtës te shtëpia e dikujt e që emërtohet prapë me fjalën “mik”! Frati mbetet një mik i ndërgjegjeve tona, udhërrëfyes e kritik i tyre. Sa herë mendoj me kureshtje e admirim për atë Frat të jashtëzakonshëm, më duket sikur rrathët e ferrit kanë lënë shenja në palat e veladonit të tij. Qofshin ato dhimbje e sakrifica thesar i madh për një rilindje të plotë shpirtërore të shqiptarëve”, u shpreh ajo.

Arena e Lajmit


16 vjet pa At Zef Pllumin, Spiropali: Kontribuoi për të mbajtur lidhjen e Shqipërisë me Europën

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook