Ish-kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim një delegacion të raporterëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të përbërë nga Asim Mollazada, Jonut Stroe, Bas Klein dhe Giulia Re, shefe e zyrës së KiE në Shqipëri.
Berisha duke i falënderuar për misionin faktmbledhës, tha se Shqipëria gjendet në mesin e një krize që ka të bëjë me “marrëdhënien speciale” mes krimit dhe votës nën qeverisjen e Edi Ramës, ku metastazat e krimit kanë pushtuar çdo nivel te pushtetit. Duke i informuar raporterët për zgjedhjet e fundit, Berisha tha se zgjidhja e kësaj marrëdhënieje krim-zgjedhje është një nga pikat ku KiE duhet të japë kontribut. Një pistë e dytë ku Berisha kërkoi ndihmën e KiE është edhe sistemi i drejtësisë, i cili sipas tij është i paralizuar. “Ata që e ngritën këtë sistem nuk ndërhyjnë dot më për ta riparuar sepse janë ‘aksionerë në dështim’”, theksoi Berisha. Berisha i kërkoi dërgatës së KiE që të ndërmjetësojnë për një ndërhyrje të Komisionit të Venecias për një rishikim të reformës së drejtësi në Shqipëri. “Kjo reformë ka qenë politikisht e motivuar”, shtoi ai.
Në zgjedhjet e 14 majit theksoi Berisha, administrata u kthye në ‘polici politike elektorale’ dhe qeveria krijoi 1.3 milionë votues nomadë duke u ndërruar në momentin e fundit qendrën e votimit. Berisha kujtoi se qeveria bëri përpjekje për të shkatërruar opozitën dhe emëruar një opozitë sipas orekseve të saj. Thelbi i demokracisë, shtoi ai është mundësia që u jep qytetarëve që çdo katër vjet të mund të ndërrojnë qeverinë. Ky shans u është hequr shqiptarëve sepse qeveria e mban pushtetin me ndihmën e krimit të organizuar. Tentakulat e kësaj lidhjeje, shtoi ai u panë në miliona faqet e mesazheve të dekrpituara të platformave Encrochat dhe Sky. “Shqipja ishte gjuha e dytë në Europë në databazën e madhe kriminale që zbuluan policitë e vendeve partnere”, -tha Berisha.
()