Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi ngjarjen më të fundit nga veri i Kosovës, ku një grup i armatosur sulmuan ditën e diel Policinë e Kosovës, ku për pasojë humbi jetën një efektiv.
Në një intervistë për ‘Open’ në News24, Basha e cilësoi këtë ngjarje një skenar sekret, përmes operacioneve speciale, që Serbia të marrë kontrollin e veriut të Kosovës. Ai akuzoi përfshirjen e qeverisë serbe në këtë skenar.
Mes të tjerash ai tha se është fillimi i lançimit të botës serbe.
“Kjo ngjarje është shpalosje e një skenari sekret, për të bërë ndarjen defacto të Kosovës, për të pushtuar Veriun e Kosovës. Skenari është i qartë, ndarje defacto e Kosovës, përmes paramilitarëve. Është fillimi i lancimit të skenarit të botës serbe. Synimi është të bëhet lëvizja e parë kundër konjukturës së NATO-s në Ballkan.
Plan dhe strategji e hartuar prej shumë kohësh nga Kremlinin. Skenari është në shpalosje prej kohësh, por akti i parë ishte marrja me forcë e Veriut. Dështimi i këtij skenari, meritë e faktorit euroatlantik dhe policisë së Kosovës, që iu përgjigj me efektivitet.
Çdokush e kupton se kjo është marrje e autorësisë nga Beogradi. Kërkohej dënim i prerë dhe distancim nga kjo ngjarje, por ndodh nderimi më i lartë shtetëror për individët e ekzekutuar në një operacion të ligjshëm policor, që janë akuzuar si terroriste ndaj një territori të pavarur. Beogradi zyrtar, Vuçiç, po merr autorësinë, po i nderon agresorët.
Përsa kohë Serbia nuk heq dorë nga strategjia e ashtuquajtur ‘bota serbe, e marrjes nën kontroll të vendeve të Ballkanit, siç është veriu i Kosovës, apo rasti i zaptimit të Malit të Zi, duke penguar formimin e qeverisë, bëhet fjalë për një skenar. Ngjarja e ditës së diel është nxitja dhe sponsorizim nga Serbia. Ndoshta kërkohet vënia nën kontroll të dhunshëm të veriut të Kosovës. Në këtë kuadër e shoh si shfaqjen e plotë të qëllimeve të Serbisë.
Duhet t’i jepet përgjigje e merituar këtij skenari”, u shpreh Basha.
(BalaknWeb)