Në kuadër të procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor 2023, Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizon sot në Tiranë, Forumin e Ministrave të Ekonomisë me titull, “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt Tregut Unik të BE”.
Duke marrë fjalën në këtë ministerial, kryeministri Edi Rama deklaroi se ka ardhur koha që të mendojmë jashtë kornizave. Ai theksoi se sot BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në.
“Dua t’ju kujtoj se ky proces ka nisur nën kujdesin e kancelares Merkel në 2014, kur për herë të parë në histori udhëheqësit nga i gjithë Ballkani Perëndimor u ulën së bashku rreth një tryeze për të folur për të ardhmen e vendeve të tyre.
Ashtu siç u shpreh kancelarja Merkel në 2014 kur ky proces u çel, është rritur një pemë e fortë dhe mjaft e shëndetshme. Tashmë po shohim të marrim frytet sepse pema është pjekur mjaftueshëm për të na dhënë frytet.
Ka ardhur koha të mendojmë jashtë kornizave dhe është pikërisht kjo që po kërkojmë të bëjmë me këtë samit dhe kjo që po ndiej në biseda dhe komunikime me miqtë tanë të BE”, tha Rama.
Ai theksoi më tej se Samiti i Berlinit do duhet të diskutojë për diçka krejt të re që 5 vjet më parë ishte e papërfytyrueshme, planin e ardhshëm të BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor.
“Dje pata kënaqësinë të bëja një bisedë mjaft shteruese me mikun tonë nga qeveria e Francës dhe më duhet të them se ishte një bisedë që 5 vite më parë do ishte e pamundur të zhvillohej. Gjërat kanë ndryshuar dhe në shohim me mjaft interes se në BE ka një bindje shumë më të fortë dhe janë më syhapur për rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për BE.
Sot BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në. Jemi këtu me ministra dhe zyrtarë të shquar nga vendet e BP dhe nga BE për të diskutuar rreth temave më thelbësore të këtij procesi që përfshin forcimin e ekonomive tona duke përfshirë lidhjen me sferën ekonomike të BE-së.
Samiti do duhet të diskutojë për diçka krejt të re që 5 vjet më parë ishte e papërfytyrueshme, planin e ardhshëm të BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor duke u hapur në disa mënyra që do të na sjellin më pranë BE-së, ndërkohë që sa i përket procesit të integrimit në bazë meritash çdo vend duhet të bëjë detyrat e veta. Integrimi me faza në tregun e përbashkët premton të na japë një ide të vyer, të paçmuar për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor në 10 vitet në vijim. Është koha për të ecur së bashku përpara dhe për t’u siguruar që nga fjalët premtuese të kemi vepra premtuese.
Mund të kemi çështje ende të pambyllura në këtë rajon, por përmes këtij procesi kemi mësuar se e vetmja mënyrë për t’u marrë vesh është të biem sa më shumë dakord për gjërat që mund të bëjmë së bashku.
Gjithmonë e më tepër kemi parë se sa e rëndësishme është të trajtohen çështjet tona. Sa më e mirë atmosfera e bashkëpunimit, sa më të forta urat mes vendeve tona, aq më e mirë hapësira për të trajtuar çështjet dhe më të vështira”, deklaroi kryeministri Rama.