Në tempullin e futbollit, në “San Siro”, Nedim Bajrami vërtetoi edhe një herë se është një lojtar më shumë klas, pa frikë po kalon momentin e tij më të mirë në karrierë. Pasi shkëlqeu me fanellën kuqezi, Bajrami dhuron show edhe përballë Inter, ishte një nga protagonistët kryesor në përmbysjen e madhe që Sassuolo vuri në jetë. Ylli kuqezi realizoi një gol shumë të bukur, që vendosi baraspeshën, ndërsa ishte lojtari i dytë me notën më të lartë pas Berardit:
“Shumë i disiplinuar në rolin që i kishte dhënë trajneri Dionisi, të markonte lojtarin kyç të Interit, Calhanoglu. Në pjesën e dytë veshi fanellën e “bomberit” duke shënuar golin e 1-1, nota 7 për Bajramin”, shkruajnë mediat italiane. Në përfundim të sfidës, Bajrami nuk e fshehu gëzimin e tij për këtë sukses të rëndësishëm kundër atyre që ishte të pathyeshëm:
“Jemi shumë të lumtur. Jemi ekipi i parë që thyen Interin këtë sezon, por ka akoma për të përmirësuar, duhet të rritemi ende”, u shpreh Bajrami duke u ndalur më pas te roli i ri që i ka dhënë trajneri Dionisi, si trekuartist, të njëjtin rol që mbulon edhe te Shqipëria: “Përpara mund të luaj në çdo pozicion, por roli im i preferuar është ai i trekuartistit. Jam i lumtur që trajneri më lejon të luaj aty, jam i lumtur edhe për golin e shënuar”, u shpreh Nedim Bajrami pas fitores 1-2 që Sassuolo arriti në “San Siro”.
()