Kreu i Parisë së Lirisë, Ilir Meta ka takuar sot të dërguarin e posaçëm të Rumanisë për Ballkanin Perëndimor, Ambasadorin Adrian Davidoiu dhe Ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri, Octavian Serban.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Meta bën me dije se mes tyre u diskutua për situatën e rënduar në veri të Kosovës djhe nevojën jetike për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Më tej ai shprehet se Partia e Lirisë do të vijojë të jetë promotore e integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.
Postimi i plotë:
Kënaqësi të prisja sot të dërguarin e posaçëm të Rumanisë për Ballkanin Perëndimor, Ambasadorin Adrian Davidoiu dhe Ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri, z. Octavian Serban.
Ndamë shqetësimin për situatën shumë të rënduar në Veri të Kosovës dhe nevojën jetike për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE, e të mbështetur nga SHBA, si edhe për firmosjen e implementimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si garanci për paqen e qëndrueshme mes dy shteteve.
I shpreha të dërguarit special Davidoiu rëndësinë e vendosjes së kufjve të qartë nga Bashkimi Europian, ndaj kujtdo, që si në rastin e sulmit terrorist në Veriun e Kosovës, cënon sigurinë, stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë.
Rritja e bashkëveprimit të Rumanisë me Ballkanin Perëndimor është e mirëpritur dhe ne ndamë vlerësime mbi zhvillimet rajonale, me një fokus të veçantë tek ritmi i proceseve integruese të rajonit në Bashkimin Europian.
Partia e Lirisë do të vijojë të jetë promotore e integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane, ndaj i shpreha gadishmërinë përfaqësuesve të Rumanisë, për një bashkëpunim të vazhdueshëm në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
()