Anëtari i Kryesisë së PD, Fitim Zekthi, i ftuar në studion e Neës24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike.
Sa i përket largimit të 11 deputetëve të PD nga grupi parlamentar i partisë, ai u shpreh se këta deputetë kishin zgjedhur të ishin pjesë e Rithemelimit.
Sipas tij ky veprim ishte thjesht “noterizimi” i diçkaje që ekzistonte prej kohësh, pasi “ata kanë ikur me vetëdije” fillimisht.
“PD është në një krizë, është ndarë. Këta 11 që u larguan kanë zgjedhur një grupim tjetër. Ata nuk kanë qenë këtu që në fillim. Ishte noterizimi i diçkaje që tashmë ekzistonte. Këta deputetë kanë 2 vjet që nuk shkojnë te Alibeaj, por te Luçiano Boçi. Ata kanë ikur me vetëdije.
Ata kanë zgjedhur të ikin te një grupim tjetër. Dora e bashkëpunimit është e shtrirë, por grushti është i mbyllur nga ana e foltores për mendimin tim. Këta kanë zgjedhur të shkojnë te Kuvendi në
stadium, ku u bë rithemelimi i tyre. Këta janë atje. PD e asaj kohe e konsideronte marrëzi atë që ndodhi në stadium. Këta të 11-të ishin te stadiumi, ishin te lëvizja e foltores.
Në botë zgjedhjet e pjesshme zakonisht i shkojnë opozitës. Kukësi u fitua nga PS edhe për shkak të mosbesimit ndaj opozitës. Korrupsioni i elitës është ai që ka sjellë problematikën në PD, jo tani por që më herët. Shkaku i krizës së thellë është korrupsioni i lidershipit të kësaj partie”, u shpreh ai ndër të tjera.