Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka vlerësuar figurën e At Arthur Liolin, Kryekancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, dishepull i Fan Nolit.
“’Pavarësinë, shqiptari e ka në gen ndërsa amerikani në Kushtetutë’, këto janë fjalët për “Zërin e Amerikës” të At Arthur Liolin, Kryekancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, dishepull i Fan Nolit”, shkruan Spiropali në rrjetin e saj social Facebook.
Postimi i plotë:
“Pavarësinë, shqiptari e ka në gen ndërsa amerikani në Kushtetutë” – këto janë fjalët për “Zërin e Amerikës” të At Arthur Liolin, Kryekancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, dishepull i Fan Nolit.
Duke i’u referuar F. Nolit, atit të tij shpirtëror, At Liolin pohonte se “Noli përdorte kapelen e peshkopit për çështje fetare por edhe kapelën e Vatrës për çështjen kombëtare”.
Këto janë mësimet që At Liolin i vuri në jetë më pasionin e shqiptarit që nuk diti të ndajë dashurinë për Zotin nga ajo për Shqipërinë.
Fati e deshi që shumë misionarë fetarë shqiptarë, veç misionit parësor të predikimit, të merreshin edhe me politikë për shkak të nevojës urgjente që kishte populli shqiptar nën thundrën e diktaturës. Të “huaj” në atdheun e tyre ai e shumë bashkëvëllezër të tij që Shqipëria e origjinës së tyre, duke jetuar kohë absurde, nuk i deshi. Me shtetësi të plotë institucionale e shpirtërore në Amerikën e lirisë e ku frymën e kësaj lirie kërkuan me të gjitha mënyrat ta përcjellin tek vëllezërit e gjakut që vuanin përtej oqeanit!
At Liolin si dishepull besnik i Nolit, dha një mbështetje të jashtëzakonshme për Vatrën ku shqiptarë të të tri feve e deshen Shqipërinë e Zotin si mision të pandarë jetik! Dashuria për Zotin nuk është e tillë, nëse nuk është edhe dashuri për vëllezërit.
At Liolin dëshmon se në një dorëshkrim të Nolit në Kishën e Shën Gjergjit gjenden këto vargje:
Nën qiell dielli shuhet ngadalë /
Dhe oqeani cep më cep ka heshtur; /
Më nis o mëmëdhe nga larg një valë /
Që ta kuptosh se malli s’më ka vdekur.
At Liolin e deshi njësoj Shqipërinë e rrënjëve të tij dhe Amerikën ku kish lindur.
Ja pse lutja jonë sot i bashkohet bashkësisë shqiptare të Amerikës e bëhet një e vetme në thirrjen drejtuar Hyjit për shpirtin e tij. Për besimtarët vdekja nuk është vetëm tragjedi por edhe urë e takimit me Hyjin, ndaj përveç lutjeve për shpirtin e Tij, do t’i kërkoja At Liolin që të lutet për Shqipërinë nga Mbretëria e Hyjit ku do gjejë paqen e pasosur e mirënjohjen e shumë shqiptarëve!
Amen!