Gjyqtari francez Clement Turpin do të jetë arbitër kryesor në ndeshjen e Champions League mes Napolit dhe Real Madridit, ndërsa holandezi Danny Makkelie do të vendosë drejtësi në takimin Inter-Benfica.
Sfidat në fjalë do të mbahen të martën dhe UEFA ka caktuar ekipet e arbitrave për këto takime, që janë të vlefshme për xhiron e dytë të grupeve në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.
Vëmendja është e fokusuar në “Diego Armando Maradona”, ku Real Madridi i Carlo Ancelottit viziton kampionët në fuqi të Italisë, Napolin. Arbitri francez Turpin ka një punë mjaft të vështirë përpara, teksa do ketë ndihmën e asistentëve Nicolas Danos, Alexis Auger dhe gjyqtares së katërt Stephanie Frappart. Në VAR do jenë Jerome Brisard dhe Benoit Millot.
Në këto kushte, trajneri i Napolit, Rudi Garcia do të mund të komunikojë lehtësisht me arbitrat, pasi është francez. Real Madrid ka kujtime të bukura nga Turpin, pasi ai gjykoi në finalen e Champions League 2021-22, kur mposhtën Liverpoolin 1-0.
Gjyqtarit holandez Makkelie i është besuar takimi mes Interit dhe Benfikës në San Siro të martën në mbrëmje.Hessel Steegstra dhe Jan de Vries janë asistentët, me Allard Lindhout si gjyqtari i katërt. Në VAR është Rob Dieperink me Nejc Kajtazovic nga Sllovenia si ndihmës.
(J.S/)