Ish-ministri Fatmir Mediu ishte këtë mbrëmje i ftuar në emisionin “Open”, duke iu bashkuar nga “Skype” të ftuarve në panelin në studio. Teksa në fokus të diskutimeve ishte çështja “Gërdeci” dhe zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor, Fatmr Mediu deklaroi mes të tjerash se para shpërthimit në Gërdec, nga shpërthimet e ndodhura në depot e demontimit, kanë humbur jetën 140 persona.
Ai tha se edhe pse kanë vdekur kaq shumë persona, asnjë ministër nuk ka dhënë dorëheqjen, duke shtuar se ai ishte ministri që mori përsipër përgjegjësinë politike pas tragjedisë.
Ndërkohë kreu i “Nisma Thurje”, Endri Shabani tha se në atë fabrikë kanë punuar fëmijë dhe gra, që sipas tij është në shkelje të ligjit. Kjo deklaratë ka shkaktuar dhe debat me Mediun.
Pjesë nga diskutimet:
Shabani: Këtu ka viktima dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi
Mediu: Kur Mediu nuk ndalon dot prokurorinë të bëjë një veprim të paligjshëm, si und të ndalojë të bëjë një veprim të ligjshëm?
Shabani: Ju mund ta ndihmoni drejtësinë me informacion… aty kanë vdekur njerëz që nuk duhet të ishin fare në fabrikë, që nga mosha… ai që është ministër i mbrojtjes ndjen një përgjegjësi pse ka zgjedhur këtë kompani dhe pse aty. Nëse keni pasur presion nga lart, bashkëpunoni me drejtësinë
Mediu: Këto marifete aludimesh shko bëji diku tjetër, jo me mua
Shabani: Nuk ka aksident në një fabrikë ku kishte fëmijë dhe gra
Mediu: Po ju them, e dini sa janë vrarë para Gërdecit nga shpërthimi i municioneve? 140! Ka pasur ndonjë ministër të japë dorëheqje?