Pas spektaklit në Serie A, Inter fiton dhe bind në Evropë. Ekipi zikaltër thyen 1-0 Benfikën duke kapur Real Sociedad në krye të Grupin D. Në “San Siro”, djemtë e Inzaghit krijuan një volum të madh loje, 21 raste për gol, 7 gjuajte në kuadrat. Pas “pokerit”, Lautaro u ndal te shtyllat, por dhe nga portieri Trubin, “demi” thjesht ishte i pafat, mbi të gjitha në pjesën e dytë ku fillimisht goditi traversën dhe më pas shtyllën.
Në minutën e 62-të, Thuram u shërbye në mënyrë perfekte në zonë nga Dumfreis dhe me një goditje të bukur dërgoi topin në rrjetë, gol që në fund rezultoi një trepikësh. Simone Inzaghi i rezervoi sërish disa minuta edhe Kristjan Asllanit, me mesfushorin kuqezi që në fund mori vendin e Calhanoglu.
“Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, kishim disa raste të pastra, por duhet të ishim më të kthjellët. Në të dytën më pas rritëm intensitetin dhe djemtë u treguan të jashtëzakonshëm. Fituam me meritë këtë ndeshje, kundër një rivali me shumë vlera”, u shpreh Simone Inzaghi. Në sfidën tjetër të këtij grupi, Real Socieded mposhti Salzburg në transfertë me rezultatin e pastër 0-2, një sfidë që spanjollët e zgjidhën që në pjesën e parë. 4 pikë në 2 ndeshje, po aq sa edhe Inter.
()