INTERVISTA/ “Prisni për Dinamon e vërtetë”, Memushaj “bekon” Shqipërinë: Besoj se shkojmë në Europian, jam i surprizuar nga dikush

Shqipëria është në rrugën e duhur për të prerë një biletë që të dërgon në Euro 2024. Kombëtarja e drejtuar nga Sylvinho kryeson grupin E të kualifikueseve me 10 pikë të grumbulluara, ndërsa pas pak ditësh është në program ndeshja shtëpiake ndaj Republikës së Çekisë, një kundërshtar direkt.  Ish-lojtari i Kombëtares (aktualisht ndihmës i trajnerit të Dinamos, Di Biagio), Ledian Memushaj në një intervistë ekskluzive për News 24 në Sport News, në emisionin e drejtuar nga moderatorja Trevisa Tufa, foli për tema të ndryshme si kampionati shqiptar, e ardhmja, apo edhe shanset e Shqipërisë për të shkuar në Europian.

 

Memushaj, çfarë të shtyu të riktheheshe në Shqipëri pas kaq shumë vitesh, si ndihmës i Di Biagios, në një klub të madh si Dinamo, cila ishte gjëja e parë që të erdhi në mendje kur t’u propozua kjo ofertë?

E the edhe ti, një klub me histori të madhe. Besoj shumë te ky projekt.

Ju keni qenë pjesë e rëndësishme e Kombëtares, për shumë vite, por Liga vendëse ka shumë ndryshim, si të duket niveli i futbollit në Shqipëri, niveli i kampionatit?

Niveli i kampionatit shqiptar? Këtu ka lojtarë të mirë dhe interesant. Më kujtohet kombëtarja vitet e para, tani ka arritur në një nivel të mirë. Shppresoj që edhe kampionati të arrijë në atë nivel.

Po Di Biagio çfarë mendon, si po është jeta për të, por dhe për ju në Shqipëri, ka qenë e vështirë të përshtateni?

Ngadalë-ngadalë jemi ambientuar. Nuk ka asgjë të vështirë.

Shatë pikë në 7 javë, a ishte kjo që mendonit, a ndiheni nën presion?

Nuk ka presion. Të gjithë mendojmë se mund të japim më shumë. Si çdo projekt i ri, kemi nevojë për më shumë kohë.

Çfarë i mungon Dinamos në këtë momente, çfarë i duhet për t’u ngjitur në renditje?

Dinamos i duhet një fitore. Na duhet një rezultat pozitiv. Në disa ndeshje kemi humbur pa meritë. Ndoshta, po të merrnim disa pikë, do ishim më sipër në renditje.

Këtë herë nuk pati efekt as prania e Igli Tares, nuk iu solli fat nga Vllaznisë, ke komunikim me Taren, çfarë mendon ai për ketë aventurë që ke nisur, për nivelin e futbollit shqiptar?

Besoj se na ka sjellë fat. Erdhi në ndeshjen e kaluar. Në 2 ndeshje kemi marrë 4 pikë dhe besoj se na ka sjellë fat, Igli! Iglin e njoh mirë, e kam shok. Nuk kam çfarë të them për të, për të flet karriera. Nuk e di çfarë mendimi ka për aventurën që kam nisur. Unë e njoh, flasim si shokë, flasim për fatin e Dinamos.

Jeni përballur thuajse me të gjithë ekipet, e keni krijuar besoj një ide më të qartë, cili është ekipi më i fortë?

Ekipi që më ka bërë përshtypje është Egnatia.  Kjo skuadër ka organizim shumë të mirë. Nuk e di kush është skuadra më e fortë, pasi Tirana dhe Partizani janë në një shkallë më sipër. Besoj se me Egnatia me atë organizim, futet te skuadrat më të forta.

Çfarë objekti ka Dinamo këtë sezon?

Siç e ka thënë trajneri, nuk do kërkojmë të fitojmë por të bëjmë sa më mirë të jetë e mundur.

Një mendim personal, si ju duket skema që po aplikohet këtë vit në Shqipëri, final four, pjesa më e madhe e trajnerëve, por dhe e lojtarëve kanë ankesa, nuk i motivon si duhet etj, ju si mendoni?

Nuk e di, duhet të flasim kur të mbarojë kampionati. Më pas, mund të flasim, është diçka e mirë apo e keqe. Është diçka e paparë. Kështu është edhe basketbolli në Amerikë, dhe mund të themi se është i bukur. Për mua Play Off-i është i bukur.

Po ju personalisht Ledian, çfarë objektivi keni, ku e sheh veten në një të ardhme të afërt?

Nuk e di akoma të ardhmen. Më pëlqen ky rol që kam dhe do doja që në një të ardhme të jem trajner i parë.

Tetori është një muaj shumë i rëndësishëm për ekipin përfaqësues, keni pasur kontakte me anëtarë të stafit, drejtues, jeni pjesë e historisë së Kombëtares…

Muaji më i vështirë ishte shtatori.  Gjërat më të vështira i kemi kaluar. Na pret një ndeshje e vështirë, pasi Çekia është ekipi më kompakt dhe më i fortë. Po t’ia dalim me një barazim, besoj 99% kualifikohemi.

Si e ke parë Shqipërinë me Sylvinhon në stol, e prisje të ishte në këto pozita pas 5 ndeshjeve?

Trajneri më ka surprizuar shumë. Vjen nga një shkollë e Guardiolës apo Manchester Cityt. Tani më suprizojnë më shumë lojtarët. Kemi lojtarë plot, kemi talente.

Me 12 tetor luajmë me Republikën Çeke, si e sheh këtë sfidë, a mundet Shqipëria të arrijë rezultat?

Besoj se po, mund të marrim rezultat pozitiv. Jemi një ekip që nuk kemi gabuar në asnjë ndeshje. Edhe ndaj Polonisë kemi  luajtur mjaft mirë.

Cila është pika më e fortë e këtij ekipi dhe ku mund të përmirësohemi, ku mund të bëjmë më mirë?

Pika më e fortë është organizimi. Rikthimi i disa lojtarëve është i rëndësishëm, besoj kjo do na organizojë.

A duhen tifozët kuqezi të rezervojnë një biletë për në “Euro2024”, a mund të përsëritet historia që ju shkruat në Francë?

Besoj se po. Nuk dua ta them tani, jam shumë pozitiv dhe jam i kënaqur për atë që po bëjnë çunat e Kombëtares.

(J.S/)

Arena e Lajmit


INTERVISTA/ “Prisni për Dinamon e vërtetë”, Memushaj “bekon” Shqipërinë: Besoj se shkojmë në Europian, jam i surprizuar nga dikush

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook