Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave. Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave përfundoi shtetasi Julian Hoxha.
NJOFTIMI I POLICISE
Si rezultat i patrullimeve përreth çdo shkolle të qarkut, për të garantuar zbatimin e Paketës për Sigurinë në këto ambiente, si dhe me mbështetjen e inteligjencës policore, evidentohet dhe goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave.
Bashkëpunëtorë për shitjen e dozave cannabis sativa, në afërsi të një gjimnazi, vihen në pranga 2 shtetas.
Njëri prej të arrestuarve, 15 vjeç, i proceduar disa herë më parë, në gjendje të lirë, për shkak të moshës, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, në doza dhe në sasi.
Si rezultat i patrullimeve me shërbime shtesë, në afërsi të çdo shkolle në territorin e qarkut, me qëllim përmbushjen e objektivave madhorë, zbatimin e Paketës për Sigurinë në shkolla dhe parandalimin e depërtimit të krimeve, në këto ambiente, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Fier, shërbimet e forcave të posaçme Operacionale dhe “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, goditën një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të këtyre ambienteve.
Shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasin J. H., 18 vjeç dhe një 15-vjeçar të dy banues në Fier. Këta shtetas u kapën në flagrancë, me disa doza cannabisi, gjatë tentativës për t’i shitur ato, në afërsi të një gjimnazi në qytetin e Fierit.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 qese me lëndë narkotike cannabis sativa (në formë boçeje) me peshë 830 gramë. Këta shtetas e kishin përgatitur dhe ndarë lëndën narkotike, në doza, me qëllim shitjen e saj, në afërsi të shkollave.
Qeset me cannabis dhe dozat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet rezultoi se 15-vjeçari është përdorur më parë për të kryer këtë veprimtari kriminale, nga shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Fier, i arrestuar më datë 19.08.2023, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.