Analiza/ Artur Zheji: Prokurorët shqiptarë do fillojnë “të vriten”, nëse vrasin frikën!

Nga Artur Zheji

Nuk është e mundur që as pushteti dhe as shteti, të garantojë paprekshmërinë e Antimafias shqiptare që po fillon të zërë fill. Eksperienca italiane, meksikane apo edhe ajo kolumbiane, na e dëshmojnë këtë. Ata kanë në luftën e tyre pambarim kundër organizatave kriminale: bilance të frikshme ku numërohen qindra prokurorë, ministra apo gjygjtarë dhe policë të vrarë në krye të detyrës dhe në ballë të luftës.

Prokurorët tanë të kërcënuar, ata që dimë dhe ata që nuk dimë, sado të mundohet dhe me gjithë vullnetin e mirë, nuk i mbron dot as Taulant Balla dhe as policia shqiptare. Nëse nuk ecën më tej siç dhe ka filluar: spastrimi i kupolës së Policisë së shtetit nga ndotja kriminale në radhët e saj. Për hir të vërtetës Taulant Balla po jep shenja të prekshme se ka filluar një kirurgji të brendshme, por, shthurja e gërshetit krim-politikë, është një operacion 360gradë dhe vetëm në fillimet e veta.

Them në fillimet e veta, sepse “kërcënimet” reale, janë një tregues real se krimi i organizuar është shqetësuar dhe po ndërmerr një reagim energjik me instrumentet e veta: para plus kërcënime direkte.

Kjo është edhe Faza më e rrezikshme, ose faza më e suksesshme e aksionit të Krimit, sepse korrupsioni dhe kërcënimi real, janë sigurisht instrumentet më rezultativë në historinë njerëzore. Duke parë ngjarjet e deritashme, Drejtësia ka prekur vetëm nervin e organizatave dhe ende nuk ka prekur Bankat qindra miliona eurshe, investimet përrallore dhe korridoret e lulëzuara të trafikimeve.

Deri atëherë, asnjë prokuror dhe asnjë gjykatës, nuk rrezikon të vritet! Sepse vrasje e tyre, nuk u sjell asnjë përfitim organizatave kriminale. Vrasjet kanë rezultuar gjithmonë “akte dëshpërimi” dhe një hakmarrje e verbër dhe krejt e pakuptimtë dhe aspak fitimprurëse në çështjet e majme të biznesit kriminal. Përkundrazi “Vrasjet” e eksponentëve të drejtësisë, shndërrohen herët a vonë, në një vetëvrasje, për porositësit e tyre.

Kështu ka ndodhur me kapon e kapove, Toto Rina, kur urdhëroi së bashku më të tjerë, vrasjen e Falkones dhe Beorselinos, duke shënuar fundin e klanit të vet mafioz, që ishte asokohe tmerri i Republikës Italiane. Dhe porosia për vrasjen e tyre, erdhi fill mbas ligjit special antimafia, për sekuestrimin e pronave, aseteve dhe parave kolosale të investuara gjithkund. Dhe sigurisht kur ligji filloi të godasë bankat e krimit, “dhimbja” që u shkaktua ishte e papërballueshme për organizatat dhe i shpallën luftë Shtetit, kur shteti filloi të divorcohet prej tyre! Proces ky, që është në pikëpyetje, përderisa jemi ende në nivelin e kërcënimeve që dalin në media, kërcënime të mediatizuara pra.

Për Drejtësinë që premton drejtësi, kërcënimi është bashkëudhëtar. Porse prokurorët shqiptarë, do fillojnë të vriten nëse vrasin frikën dhe refuzojnë zarfet. Deri atëherë, “Krimi” bën jetë të mirë dhe healthy në Dubai apo Londër, në Shkodër, Tiranë apo Vlorë…/360grade.al/

Arena e Lajmit


Analiza/ Artur Zheji: Prokurorët shqiptarë do fillojnë “të vriten”, nëse vrasin frikën!

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook