TIRANË
Kuvendi ka nisur sot me debate të forta dhe jo opozitë-maxhorancë, por brenda ligjvënësve demokratë. Fillimisht kreu i PD-së Lulzim Basha i ka kërkuar kryetares së parlamentit Lindita Nikolla të bëjë publik njoftimin e PDSH-së për përfaqësuesit e saj në parlament.
Ai tha se është detyra e Nikollës të shprehet pro Kushtetutës, pro ligjit për partitë politike, pro kodit zgjedhor, ose të dalë e të thotë se është pjesë e aleancave të kullave.
“Sot është data 5 tetor. Më 4 shtator ju keni bërë një njoftim të ardhur nga PDSH. U bë një muaj që ky njoftim dhe vendimet e mëpasshme të PDSH injorohen dhe nëpërkëmben nga ana juaj. Përkundër zotimit që bëtë, që pas konsultimit të rregullave do bëni publik vendimin tuaj. Ju nuk keni bërë asnjë vendim publik. Po merrni zvarrë përfaqësuesit demokratik të PDSH duke vendosur sipas qejfit tuaj dhe jo sipas Kushtetutës. Fshiheni pas një akti administrativ siç është rregullorja, e cila nuk ju jep asnjë të drejtë për të penguar vendimmarrjen formale.
Sot flisni për vendime të grupit parlamentar të PD. Nuk ka vendime, janë interpretimet tuaja të njëanshme. Dihet mirë pse i bëni këto interpretime, e doni opozitën siç ju do qejfi ju, e doni siç e kishit në Kukës. Kjo nuk është në dorën tuaj, jepini fund kësaj maskarade. Është detyra juaj të shpreheni pro Kushtetutës, pro ligjit për partitë politike, pro kodit zgjedhor. Ose nëse keni vendosur kulisat tuaja të errëta të aleancave të kullave, dilni e thojuni se jeni pjesë e aleancave”, tha Basha.