Gjykata e Lartë ka reaguar me shqetësim për kërcënimet që kanë marrë magjistratët për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.
Në njoftimin për media, Gjykata e Lartë shprehet se shqetësimi është serioz dhe se mirëpret masat ligjore për përgjegjësit.
Ky njoftim vjen pas dëshmive tronditëse të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili rrëfeu për planin e grupit të Laert Haxhiut për eliminimin e prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu dhe prokurores së shkarkuar në vetting të Lushnjës, Merita Selimi.
“Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë përcjellin me shqetësim të gjitha referimet për kërcënime të magjistratëve për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.
Qëllimi i sistemit të drejtësisë është të kryejë në mënyrë funksionale dhe parimore detyrën e tij, dhe për këtë arsye duhet të jetë i mbrojtur dhe i garantuar nga çdo lloj presioni, ndërhyrje, pengimi, kufizimi, nga cilido drejtim që mund të vijë, pasi ato cenojnë rëndë funksionimin e tij, por edhe lëkundin besimin e publikut tek drejtësia. Presionet apo kërcënimet e çfarëdolloji ndaj magjistratëve përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për ta, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila është e interesuar për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e jetës së çdo individi, si dhe funksionimin normal të shtetit të së drejtës.
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mirëpresin zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të magjistratëve. Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se, gjykatat dhe prokuroritë janë institucione në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë dhe se çdo tentativë për cenim të integritetit fizik e moral të tyre, ndikon drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit në përgjithësi dhe atë individuale, të magjistratit në veçanti.
Me besimin se kolegët magjistratë do të vijojnë të kryejnë me vendosmëri dhe përgjegjshmëri detyrën e tyre sublime, njëkohësisht mbështesim organet ligj zbatuese në marrjen e masave të menjëhershme ligjore, institucionale, organizative e materiale, jo vetëm për zbardhjen e çdo ngjarje dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, por edhe zbatimin e dispozitave ligjore, duke garantuar mbrojtje efektive për parandalimin e sjelljeve të kundërligjshme.
Ftojmë median dhe qytetarët shqiptarë të denoncojnë çdo akt antiligjor në dëm të drejtësisë dhe magjistratëve. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, duke qenë në përmbushje të funksionit dhe misionit për të cilin janë ngarkuar, shprehin angazhimin maksimal për të kontribuuar në mbrojtjen e vlerave më të larta shoqërore dhe demokratike, që garantojnë vetë shtetin e së drejtës dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Ne jemi dhe do të jemi përherë në pozicionin tonë kushtetues për të përmbushur detyrën dhe për t’i shërbyer shtetit dhe shoqërisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.
()