TIRANE
Një ngjarje e rëndë në Tiranë ka tronditur opinionin publik, ku një 3-vjeçar ka ndërruar jetë pas vizitës te dentisti. Ngjarja thuhet se ka ndodhur 4 ditë më parë.
Kanë qenë prindërit e vogëlushit që kanë denoncuar rastin në polici. Sipas dëshmisë së prindërve, djalit i është bërë anestezi totale dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave, kanë marrë fëmijën dhe janë larguar drejt banesës. Por pas disa orësh, 3-vjeçari është ndjerë keq.
E ftuar në Vila24 me moderatore Anila Çela, stomatologia Elda Dervishi tha se prindërit duhet të informohen para se të firmosin.
“ Zgjedhja e anestezisë së përgjithshme më duket një rrugë e shkurtër nga ana e prindërve. Prindërit nuk informohen për mënyrën e trajtimit, zgjedhin rrugën më të shkurtër, duan t’ia mbarojnë dhëmbët në një seancë fëmijëve. Ndaj i lutem prindërve të rinj të tregojnë durim me fëmijët e tyre. Ne nuk gjykojmë dot rastin në fjalë, duhet të jemi të kujdesshëm. Narkoza zakonisht përdoret te fëmijët që janë me aftësi ndryshe pasi ata nuk janë bashkëpunues kur kanë nevojë për shërbime dentare”- tha Dervishi.