Egnatia marshon në krye të Kategorisë Superiore, teksa fitoi bindshëm 3-0 në shtëpi ndaj Dinamos. Një sukses i merituar i rrogozhinasve, të cilët ringrihen shumë shpejt edhe nëse bëjnë një hap fals. Ndërsa blutë, pas dy ndeshjesh pozitive, i rikthehen humbjes, duke qëndruar në zonën e ftohtë të renditjes.
Pjesa e parë foli në favor të vendasve, që jo vetëm krijuan volum më të madh loje dhe krijuan raste shënimi, por shënuan edhe dy gola. Sfida do të zhbllokohej në minutën e 26-të. Paulauskas merr një top mjaft të bukur brenda zonës nga Malota dhe me një goditje diagonale me të djathtën ndëshkon Rexhepin, i cili mund të kishte reaguar më mirë.
Kur pritej reagimi i miqve, ndodh e kundërta. Pesë minuta më pas Egnatia dyfishon shifrat. Zejnullai lëshon një gjuajtje nga goditja e dënimit dhe e çon topin në trekëndëshin e portës, me portierin Rexhepi të dorëzuar përsëri.
Në pjesën e dytë Dinamo u përpoq të reagonte dhe hynte në lojë, por gjithçka u komplikua në minutën e 72-të kur Krasniqi shkakton faull ndaj Fernandos dhe merr kartonin e dytë të verdhë, duke lënë ekipin me 10 vetë.
Nga ky episod marrin zemër rrogozhinasit, të cilët në fund arrijnë të shënojnë edhe golin e tretë. Spahiu kroson drejt Ahmetajt, i cili gjen cepin e portës. Anulohet për pozicion jashtë loje, por VAR-i e quan të rregullt. Mbyllet 3-0, me Egnatian që bën autokritikë për humbjen ndaj Teutës, ndërsa Dinamo u rikthehet humbjeve.
()