“Kërcënimi i prokurorëve, përfshirë dhe ata në sallën e gjyqit, është një kambanë alarmi për shtetin i cili duhet të veprojë pa humbur kohë”.
Kështu deklaroi kryetari i PD, Lulzim Basha, gjatë një bisede me ish-efektivin e policisë, Hetem Shkrela, të cilin e vizitoi në shtëpinë e tij në Fier.
Basha gjatë kësaj bisede ngriti shqetësimin për situatën e kriminalitetit në vend.
“Kënaqësi të vizitoj familjen e Hetem Shkrelës. Biseduam për situatën në vend. Si ish-punonjës i policisë, Hetemi sheh me shqetësim të madh situatën e kriminalitetit dhe inkriminimin e policisë.
Kërcënimi i prokurorëve, përfshirë dhe ata në sallën e gjyqit, është një kambanë alarmi për shtetin i cili duhet të veprojë pa humbur kohë për të mbrojtur jetën, por dhe për të mos lejuar të ndikojnë në punën e tyre përmes kërcënimeve dhe shantazheve”, u shpreh Basha.
Po gjatë ditës së sotme në Fier, Basha takoi dhe një prej kontribuuesve të orëve të para në PD, ish-kryetarin e bashkisë, Agron Milaj.
Detajet nga biseda, Basha i shprehu me një postim në Facebook:
“Një bisedë miqësore me z. Agron Milaj, një demokrat i orëve të para, ish-kryetar i Bashkisë së Fierit, figurë e nderuar dhe e respektuar nga qytetarët e Fierit për kontributin e tij në shërbim të njerëzve, nga i cili mund të mësosh shumë.
Folëm për situatën në vend, emigracionin dhe nevojat që kanë sot qytetarët.
Me qindra të rinj janë larguar se nuk u jepet mundësia të kontribuojnë për vendin dhe të ndërtojnë jetën e tyre këtu.
Prandaj sot është detyra jonë të ndërtojmë një alternativë të re që duan dhe presin shqiptarët”.