Në futboll asgjë nuk vjen rastësisht, sigurisht fati është një komponent i rëndësishëm, por Tirana ndaj Vllaznisë tregoi karakter, tregoi forcë, besoi deri në fund, dhe në minutën e 97-të gjetën golin e fitores me Florent Hasanin duke bërë për vetë klasiken e futbollit shqiptar. Jul Ahmataj debutoi me 3 pikë në stoli ne Tiranës duke i lëshuar një mesazh të qartë presidentit Halili, i cili pas shkarkimit të Shehit, theksoi se: “Juli është një zgjedhje e përkohshme”.
Këtë status, Ahamtaj nuk e preferon, kërkon të qëndrojë në krye të Tiranës, kjo është normale, pasi Tirana është një emër i madh, do të ishte nder për çdo trajner, dhe këtë Ahmataj e di më shumë se kushdo. Përtej dëshirës së tij, Ahmataj i lëshoi dhe një mesazh të qartë lojtarëve, në fund janë ata që e bëjnë diferencën.
Nga një ekip i fikur në dy ndeshjet e fundit me Shehin në stol, çka sollën dhe pezullimin e këtij të fundit, krejt papritur u ndezën sërish duke dhuruar një paraqitje shumë të mirë kundër Vllaznisë.
Me Ahmataj, apo dikë tjetër në stol, asgjë nuk ndryshon në lidhje me objektivat e këtij klubi. Tirana e këtij sezoni ka investuar për të synuar titullin, çdo përfundim tjetër do të ishte një zhgënjim, por ky është një sezon i gjatë, me shumë risi, që e bënë të vështirë të shohësh larg. Objektivi i radhës për bardheblutë është derbi i kryeqytetit, sfidë që do të luhen në “Air Albania” më 19 tetor.
()