Barcelona nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 me Granadan në transfertë. Takimi filloi me “malore” për skuadrën e Xavit.Vendasit realizuan gol pas vetëm 17 sekondash. Katalanasit humbën topin, Bryan Zaragoza përfitoi në maksimum, duke mposhtur Ter Stegen. I njëjti autor, sulmuesi 22 vjeçar nga Spanja mori një top perfekt nga Gumbau, e pas një vallëzimi perfekt në zonë çoi shifrat në 2-0.
Goli i Yamal në fundin e pjesës së parë ishte si një shkëndijë shpresë për Barcelonën. Për talentin 16-vjeçar ishte gol i rrallë, nga ata që vijnë një herë në jetë për nga historia, pasi kurrë më parë s’kishte shënuar në LaLiga.
Myrto Uzuni luajti titullar në këtë takim, trajneri Lopez preferoi ta mbante në lojë 58-ta, me sulmuesin e Shqipërisë që i la vendin e tij Puertas.
Në kampin e Barcelonës u vërejt shumë mungesa e një sulmuesi si Lewandowski. Polaku nuk ishte në dispozicion për këtë takim për shkak të një dëmtimi, të njëjtin fat patën Raphinha, De Jong dhe Pedri. Roberto vendosi ekuilibrat në minutën e 86-të, me skuadrat që ndanë pikët në Estadio Nuevo Los Cármenes (Granada).
(J.S/)