TIRANE
Më datën 16 tetor në Tiranë do të mbahet samiti i Procesit të Berlinit. Për 24 orë kryeqyteti do të jetë i mbushur me një axhendë të ngjeshur.
Kjo është hera e parë që ky samit zhvillohet jashtë vendeve të Bashkimit Europian. Samiti do të zhvillohet në ambientet e Piramidës. Ndërkohë po bëhen punimet e fundit për të qenë gati.
Më 16 tetor do të bëhet edhe inaugurimi përfundimtar i kësaj godine të rikonstruktuar dhe transformuar. Hyrja e liderëve do të jetë nga hyrja kryesore e Piramidës. Rreth orës 11:00 do të nisë edhe pritja nga kryeministri Edi Rama.
Më pas 30 minuta më vonë do të nisë sesioni i parë, hapja e fjalës që do të bëhet nga kryeministri Edi Rama, presidentja e KE-së, Ursula von Der Leyen, kreu i Këshillit të Europës, Charles Michel dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. Do të ketë dy sesione të ndara, që do të lidhen me integrimin e rajonit në BE, por gjithashtu edhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Pritet që të ketë edhe nënshkrime marrëveshjesh sa u përket kualifikimeve profesionale. Më pas do të ketë takime bilaterale, deri në orën 17:45. Rreth orës 18:00 është parashikuar edhe konferenca për shtyp. Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë pritet që të mbyllet zyrtarisht pas inaugurimit të Piramidës.
Ndërkohë më 17 tetor do të zhvillohet vizita e parë zyrtare e një presidenti francez, ku Emmanuel Macron pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama. Organizimi do të jetë i ndarë në dy sesione, që në fokus do të ketë integrimin e tregut të përbashkët rajonal drejt atij të BE-së. Liderët do të nënshkruajnë marrëveshje edhe për kualifikimet profesionale.
Por përveç integrimit dhe bashkëpunimit rajonal, në tryezë do të diskutohet dhe Kosova, sidomos konflikti i krijuar pas sulmit të 24 shtatorit nga Serbia. Për këtë do të kujdeset vetë kryeministri Edi Rama. Ndonëse së fundmi, marrëdhëniet mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë kanë qenë të ftohta, qeveria e Kosovës konfirmon zyrtarisht se Albin Kurti do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë.
Nga Serbia është konfirmuar pjesëmarrja e kryeministres Ana Bërnabiç. Ndonëse për herë të dytë në Shqipëri, Emmanuel Macron do të jetë Presidenti i parë i Francës, që zhvillon një vizitë bilaterale në historinë e shtetit shqiptar. Axhenda e kësaj vizite është vendosur një ditë pas samitit, në 17 tetor. Shpenzimet Qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 51 milionë lekësh për shpenzimet e samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor. Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, ky fond i kalon në buxhetin e miratuar për vitin 2023 Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për përballimin e shpenzimeve të organizimit në Tiranë të Samitit. Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
“Me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi; Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, i shtohet fondi prej 51 000 000 (pesëdhjetë e një milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të organizimit në Tiranë të Samitit të Procesit të Berlinit, datë 16 tetor 2023. Efekti financiar, prej 51 000 000 (pesëdhjetë e një milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”, – thuhet në njoftimin e qeverisë.
Të hënën e 16 tetorit, Tirana do të presë mysafirët Perëndimorë në kuadër të samitit Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Për 24 orë, kryeqyteti do të jetë i mbushur me një axhendë të ngjeshur deri në orën 19:30. Të hënën do të ketë gjithashtu edhe dy ceremoni inaugurimi, njëra do të jetë për Kolegjin Evropian dhe tjetri për Piramidën, vendi ku do të zhvillohet një pjesë e mirë e samitit.
Piramida e Tiranës nga një muze i ndërtuar në fund të viteve 1980 në Tiranë për të nderuar diktatorin shqiptar Enver Hoxha është shndërruar në një qendër trajnimi për teknologjinë dhe programet kompjuterike. Përzgjedhja e këtij vendi nga kryeministri Edi Rama nuk ka qenë e paqëllimshme.