Mbahet sot seanca e parë gjyqësore për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet pas hekurave për blerje votash. Siç shihet nga pamjet e siguruara për nga gazetarja Klodiana Lala, në seancë e pranishme do të jetë dhe ambasadorja greke, Konstantina Kamitsi. Ndërkohë, gjyqtarja Etleva Deda ka paraqitur heqje dore nga çështja, por ende nuk është shprehur kryetarja e gjykatës.
Beleri nga ana e tij e ka konsideruar mbajtjen në burg si politike. Lidhur me mosbetimin e tij si kryebashkiak dhe me mbajtjen e tij në burg kanë reaguar dhe politikanë të Greqisë. Belerit i është refuzuar 5 herë kërkesa për të dalë nga paraburgimi.
Konkretisht i është rrëzuar kërkesa një herë nga Gjykata e Vlorës, 2 herë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, një herë nga ajo e Apelit dhe një herë nga Gjykata e Lartë. Të gjitha shkallët e gjykimit kanë vlerësuar se dyshimet për korrupsion në zgjedhje janë të arsyeshme dhe të bazuara në prova. Kujtojmë se pak ditë më parë Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencë për çështjen ‘Beleri’.
()