Deaktivizimi i programeve të hartave të gjigantëve të teknologjisë duket se është kërkuar nga ushtria izrelite para pushtimit të pritur tokësor të Gazës.
Programet orientuese në terren Google Maps, Waze dhe Apple Maps nuk japin më të dhëna për trafikun apo hartat në Izrael dhe në Gaza, një lëvizje që dyshohet se vjen para një ofensive të mundshme tokësore të ushtrisë izraelite që bombardon prej dy javësh zonën e Gazës.
“Siç kemi bërë dhe më parë në situata konflikti ose në reagim të situatave në zhvillim, kemi çaktivizuar përkohësisht aftësinë e ndjekjes së trafikut dhe biznesit në këtë zonë, për sigurinë e komuniteteve lokale”, tha një zëdhënës i Google për rrjetin Bloomberg.
Një tjetër i njohur me burimet e situatës tha për rrjetin Bloomberg se heqja e përkohshme të dhënave të Google për Izraelin dhe Gazan ishte bërë me kërkesë të ushtrisë izraelite që të mos zbulohen lëvizjet e ushtrisë së tyre.
Google kishte bërë një lëvizje të ngjashme më parë për Ukrainën në fillim të 2022 kur Rusia nisi sulmin e saj në lindje. Asokohe kompania tha se kishte marrë vendimin pas konsultimeve me autoritetet ukrainase.
Rrjeti izraelit i teknologjisë GeekTime tha se me sa duket edhe Apple ka nisur të zbatojë urdhrat e ushtrisë prej të hënës, duke pare kufizimet e të dhënave në hartat e Apple Maps.
As ushtria izraelite dhe as Apple nuk konfirmonin zhvillimin, teksa SHBA ka parajmëruar për shqetësime mbi pushtimin tokësor të Izraelit duke thënë se “nuk kanë një plan të mirëfilltë”.
Konflikti i rëndë në Gaza vjen pas një sulmi të paprecedentë të grupit Hamas brenda territorit të Izraelit ku raportohet se janë vrarë mi 1000 njerëz, teksa në kundërpërgjigjen me bombardime të ushtrisë izraelite janë vrarë më shumë se 5500 palestinezë, shumica e te cilave civile, dhe më shumë se 1 milionë banore janë zhvendosur nga Gaza.
Arena e Lajmit