Nga selia e Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha tha se veprimet e Edi Ramës për të bllokuar komisionet hetimore, tregojnë degradimin ekstrem të një regjimi, ndërsa rendit arsyet se pse kreu i qeverisë nuk pranon ngritjen e komisioneve hetimore.
Berisha: Këto akte tregojnë degradimin ekstrem të një regjimi që ka përligj ligjet e drogës, kodet e drogës, krimit, vjedhjes dhe korrupsionit. Të dashur qytetarë, kjo betejë është betejë me të keqen më të madhe të historisë sonë kombëtare pas Enver Hoxhës. Edi Rama bllokon komisionet hetimore parlamentare sepse do të nxjerrin vjedhjet e tij, do nxjerrin se si për interesa të tij dhe klaneve të tij, porti mijëravjeçar i Durrësit përfundon në hiç vetëm e vetëm se ky dhe klani i tij në Dubai të ndërtojë 12 mijë apartamente të përvetësojë 1.2 mln km katror truall publik.
Edi Rama del firmëtar kryesor në vjedhjen e shekullit, që janë djegësat dhe veçanërisht ai i Tiranës. Ai nuk mund të pranojë hetimin e tij sepse del i implikuar aksioner me Pëllumb Gjokat, që janë prejardhje krimi dhe droge. Nuk mund të pranojë komisionin hetimor parlamentar sepse del duke shkelur ligje dhe konventa evropiane sepse kërkon të emërojë në Himarë grabitësin e tokave të himariotëve.