Një manual mbi politikën bashkëkohore, Valentina Leskaj prezanton librin “Politika si ide” në Senatin italian 

“Politika si ide”, libri i cili sjell një perceptim mbi politikën si vizion i së ardhmes i politikanes Valentina Leskaj është promovuar në Senatin Italian, në praninë e Përfaqësuesve të Dhomës së deputeteve të Italisë, personazheve të njohur të jetës politike e kulturore të vendit fqinj.

I përkthyer nga Ida Xoxa dhe botuar nga Bonanno Editore, libri ka tërhequr vëmendjen për një analizë plot kulturë të një politike bashkëkohore. Senatorja Gisella Naturale e quajti librin një manual për të kuptuar filozofinë e të bërit politikë, shkruar nga një grua e cila përfaqëson vlerat më të larta të sferave të mendimit. Deputeti Arnaldo Lomuti, President i Sesionit Ndërparlamentar vlerësoi temat e trajtuara në këtë libër, që kalojnë hapësirën e një politike kombëtare.

“Libri është një refleksion e analizë mbi disa nga çështjet me të cilat përballet shoqëria jonë, po jo vetëm. Janë çështje që lidhen me tranzicionin dhe mënyrën e funksionimit të politikës, me pjekurinë demokratike të shoqërisë, me kulturën e dialogut politik, zhvillimet demografike etj. Përveçse një analize si i shoh këto çështje, libri ka dhe një dimension krahasues me eksperienca e modele të vendeve të tjera që kam patur fatin ti njoh edhe për shkak aktivitetit ndërkombëtar. E sjell këtë eksperiencë jo thjesht si kronikë udhëtimesh, po si një nevojë për reflektim në sjelljet e politikës tonë, që në disa raste ka mbajtur peng edhe proceset integruese të vendit, për interesa të ngushta të politikës së ditës”, tha Valentina Leskaj në fjalën e saj.

Sipas saj, jo rastësisht libri hapet me një vlerësim të Vaclav Havelit për demokracinë, i cili thotë se “ Teknologjia e demokracisë, është e pa konceptueshme pa kulturën demokratike”. “A e shohim ne gjithmonë kështu? Vështirë ta them për një shoqëri me trashëgimi defiçitare në fushën e demokracisë, ku eksperimenti komunist u zbatua në formën e vet më ortodokse ekstreme.

Po jo rrallë vlerësimet tona për për zhvillimet ndikohen edhe nga arsye që lidhen me lodhjen e zhgënjime të shoqërive, që dolën nga komunizmi, e që kishin pritshmëri të larta pas rënies së perdes së hekurt, duke e parë demokracinë si një moment, jo si një proces. Ndërkohë që krijimi i një kulture politike demokratike është një proces i gjatë dhe jo i lehtë. Vullneti politik, ligjet e mira që kemi bërë, ngritja e institucioneve si garantë, janë themele shumë të rëndësishme. Gjithsesi kjo është “demokracia teknike” siç e quan Havel”, tha Leskaj.

Ajo u ndal në proceset transformuese të vendit, duke thënë se Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha, e pa dyshim që është një vend demokratik, është një faktor aktiv i stabilitetit e sigurisë në rajon dhe kjo është shumë e rëndësishme sidomos në kohën e sotme. “Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor i zhvilluar javën e fundit në Tiranë, i pari që mbahet jashtë kufijve të BE, mesazhet që u dhanë, janë dëshmia e pjekurisë demokratike, rritjes dhe faktorizimit të Shqipërisë.
Ndërkohë ne e dimë që kemi ende rrugë për të bërë për një demokraci, ku ligji të funksionojë sipas parametrave të një shoqërie moderne”, tha Leskaj.

Ajo foli më tej për konceptet e një politike përtej së majtës dhe së djathtës. “Në libër ka një refleksion mbi të majtën e të djathtën, që te ne shpesh shihet thjesht si një çështje e raportit të individit me të shkuarën apo me pasurinë. E vërteta është se po të ndjekësh ligjërimin politik, gjatë fushatave elektorale, ku normalisht përvijohen edhe diferencat, vështirë të gjesh vija ndarëse të mbështetura në parime apo ndarje ideologjike. Ndërkohë besoj se një gjë është e dukshme, prirja drejt një modeli, të ndikuar nga nevoja e votës.

Natyrisht në rastin tonë, dhe përgjithësisht për vendet e ish-bllokut komunist, që u futën në rrugën e transformimit të madh të tranzicionit, një pjesë e qëndrimeve më shumë se sa me ideologjinë e majtë apo të djathtë, kanë të bëjnë me nevojat integruese, me reforma standarde, që lidhen me tregun, financat, politikat sociale etj., të kërkuara nga institucione ndërkombëtare si FMN-ja, Banka Botërore etj., që shpesh kushtëzojnë edhe mbështetjen tyre.
Por ne nuk jemi të vetmit në këtë gjë, edhe pse në mënyra dhe nivele krejt të ndryshme. Ka ndodhur dhe në shumë vende me traditë të gjatë të shoqërive pluraliste, ku shpesh partitë politike adoptojnë politika apo qasje që nuk kanë qenë në ADN-në e tyre.
E vërteta është se sot dallimet janë bërë të diskutueshme. Norberto Bobbio-n, thotë se: “Kuptimi i së majtës dhe i së djathtës ndryshon vazhdimisht dhe nuk ka dyshim se sot që të dy termat nënkuptojnë diçka të ndryshme në krahasim me të shkuarën”, tha Leskaj.
Një nga temat e trajtuar në këtë libër është dhe gjuha politike, apo tjetri jo vetëm si një koncept filozofik por si një nocion i cili rrit përgjegjësinë në diskursin publik.

“Raporti delikat midis lirisë së fjalës, fuqisë së teknologjisë për të depërtuar përmes rrjeteve sociale, shpesh edhe në jetën private, dhe respekti ndaj individit janë një sfidë jo e lehtë. Vetë Europa është në një reflektim e debat lidhur me përballimin e fenomeneve, që lidhen me gjuhën e urrejtjes, që kanë si burim ekstremizmin politik, radikalizmin fetar e të tjerë përçues të kësaj gjuhe në mediet sociale. Gjuha e urrejtjes në kohën e sotme të konflikteve në rajone të ndryshme, si ai në Ukrahinë, sulmi ndaj policisë në Veri të Kosovës, sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit, merr përparësi të veçantë, e bën të nevojshëm një debat të gjerë. Propozimi i Manuel Macron-it për nevojën për reformizëm të BE-së e ka vënë theksin edhe në gjuhën e urrejtjes dhe nevojën për ta adresuar këtë edhe me ndryshime ligjore. Edhe pse ky propozim ka shkaktuar kundërshti, besoj se është një çështje që duhet adresuar”, u shpreh ajo në fjalën e saj në Senatin italian.

Për librin folën edhe Arben Pëllumbi deputet dhe Kryetar i Grupit Ndërparlamentar Shqipëri Itali, Ambasadorja e Shqipërisë në Itali Anila Bitri etj. Eventi u transmetua live nga TV e Senatit dhe Radio Radikale. Libri “Politika si ide” është trajtuar në formën e një bisede me studiuesen Alda Bardhyli.
Si njohëse e mirë e çështjeve sociale, Leskaj analizon në këtë libër dhe zhvillimet demografike në vend e që ka në qendër moshimin popullsisë.

Arena e Lajmit

Një manual mbi politikën bashkëkohore, Valentina Leskaj prezanton librin “Politika si ide” në Senatin italian 

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook