Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka reaguar lidhur me progres-raportin e KE-së për Shqipërinë, duke thënë se ky i fundit ka vënë gishtin në plagët më të rënda që i ka shkaktuar demokracisë qeveria “Rama”.
Sipas saj skanimi i detajuar që i është bërë Shqipërisë nxjerr në pah problemet madhore të maxhorancës qeverisëse dhe u jep zë shqetësimeve që ka ngritur sistematikisht opozita.
Reagimi i plotë:
Progres-raporti i KE vë gishtin në plagët më të rënda që i ka shkaktuar demokracisë qeveria “Rama”. Skaneri i detajuar që i është bërë Shqipërisë nxjerr në pah problemet madhore të maxhorancës qeverisëse dhe u jep zë shqetësimeve që ka ngritur sistematikisht opozita.
Kërkesat legjitime të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore
Refuzimi i maxhorancës për ngritjen e komisioneve hetimore është tërësisht antikushtetues. Parlamenti dhe opozita, si pjesë e tij dhe përfaqësuese e vullnetit të qytetarëve, e ka të garantuar në Kushtetutë dhe ligj të drejtën për të kontrolluar punën e qeverisë përmes komisioneve hetimore. Çdo pengesë dhe refuzim nga ana e maxhorancës është goditje e demokracisë dhe shkelje hapur e shtetit të së drejtës. Siç evidentohet dhe në raport, nuk ka pasur kontroll parlamentar ndaj qeverise sepse është fakt që kjo maxhorance me forcën e paligjshmërisë së kartonit nuk e ka lejuar.
Zgjedhjet dhe nevoja e reformës zgjedhore
Progres-raporti evidenton keqpërdorimin e resurseve dhe administratës shtetërore, presionin ndaj votuesve dhe shitblerjen e votës si problemet kryesore që vijojnë të cenojnë standardet e zgjedhjeve në Shqipëri. Reforma zgjedhore është domosdoshmëri.
Lufta kundër korrupsionit
Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten në nivele alarmante. Në të dy fushat, Shqipëria renditet poshtë mesatares, sepse korrupsioni dhe aleanca me krimin janë mjetet e domosdoshme të qeverisë për të marrë pushtetin sa herë ka zgjedhje e për ta mbajtur atë, ndërsa shqiptarët rrënohen ekonomikisht apo braktisin vendin.
Progres-raporti është pasqyra ku duhet të shohë veten qeveria. Zgjedhjet e blera, shkelja e ligjit dhe të drejtës së opozitës për të bërë punën e vet, korrupsioni galopant dhe aleanca me krimin nuk janë rruga që na çon në BE.