Dhunimi deri në thyerjen e këmbës së një vajze 3-vjeçare nga edukatorja e saj në një kopsht në Tiranë ka tronditur mbarë opinionin publik në vend, ndërsa pamje të reja janë transmetuar sot lidhur me rastin e rëndë.
Momenti i thyerjes së këmbës së 3-vjeçares është filmuar nga kamerat e kopshtit dhe pamjet janë transmetuar në emisionin “Stop” në TV Klan.
Në momentin që e mitura ndodhet në dhomën e gjumit të kopshtit, edukatorja Majlinda Dehima dëgjohet teksa i drejtohet “Çfarë bën ti mi?! Çfarë bën ti mi?! Hë çfarë bën? Çfarë bën mi?! Pse ta kemi ty qefin ne mëngjes, drekë e darkë? Sharabajgë Hiqe moj këmbën këtu, hiqe këmbën, hiqe këmbën”.
Pas kësaj dëgjohet një kërcitje, që dyshohet se është momenti kur edhe vogëlushes i është thyer këmba.
Prej atij momenti dhe deri në largimin e saj nga kopshti, 3-vjeçarja ka qarë pa ndalim nga dhimbjet e shkaktuara.