Samiti me Diasporën, ministri Mete: Koha për të vepruar, të marrim eksperiencat dhe modelet më të suksesshme nga vendet e tjera

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, organizuan panelin “Diaspora Shqiptare për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, në kuadër të Samitit të III-të të Diasporës.

Diskutimet e panelit u hapën nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, i cili e konsideroi Samitin e Diasporës si një mundësi e mirë për të thelluar komunikimin dhe bashkëpunimin, me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të diasporës në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Ministri tha se Diaspora përfaqëson një kapital të madh njerëzor, social dhe ekonomik, i cili mund të sjellë përfitime të shumëfishta për ekonominë e vendit, por edhe për kontribuesit nga Diaspora.
Në fjalën e tij, Ministri Mete bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit ekonomike në vend, duke theksuar se ekonomia po kalon një moment pozitiv, në një kohë që procesi i integrimit ka ecur me ritme të kënaqshme, gjë që është konstatuar edhe nga Komisioni Europian në raportin e fundit.
Në këtë kuadër, Ministri tha se diaspora shqiptare ka një rol të veçantë në procesin e integrimit europian dhe mund të japë një kontribut të çmuar.

“Ky moment i mirë integrues, që kërkon në thelb ndërlidhjen e tregjeve të rajonit me tregjet e Bashkimit Europian dhe që synon konvergjencën ekonomike të këtyre vendeve me vendet anëtare të BE-së, është një mundësi e mirë për përfshirjen e energjive, kapaciteteve njerëzore dhe financiare, por edhe të njohurive të Diasporës shqiptare në këtë drejtim”, u shpreh Ministri.
Ministri Mete theksoi faktin se diaspora shqiptare ka një rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm social e ekonomik të vendit, duke kontribuar në sektorë si energjia, turizmi, inovacioni dhe aftësitë, arsimi, angazhimi i të rinjve, kultura, etj.

Ministri u shpreh se, përtej dërgimit të remitancave, diaspora shqiptare ka potencial për të promovuar sipërmarrjen dhe investimet e huaja direkte, e në këtë kontekst ekzistojnë mundësitë dhe hapësirat për një përfshirje edhe më të gjerë të diasporës, përmes projekteve dhe investimeve në sektorët prioritarë.
Në këtë drejtim, Ministri vuri theksin në ndërmarrjen e veprimeve konkrete përmes angazhimit të strukturave dhe institucioneve shtetërore.
“Besoj se duhet të kalojmë në konkretizim, duke angazhuar strukturat që janë ngritur, Dhomën e Biznesit të Diasporës, Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrin e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit të përkthejmë eksperiencën dhe mësimet e nxjerra gjatë kësaj periudhe në veprime konkrete që bazohen në modelet më të mira që kanë funksionuar edhe në vendet e tjera”, tha Ministri Mete.

Fjala e Ministrit Mete:

Është kënaqësi pjesëmarrja në Samitin e tretë të Diasporës dhe në veçanti në këtë forum të posaçëm diskutimi dedikuar ndërveprimit ekonomik me Diasporën.
Samiti i Diasporës, i kthyer tashmë në traditë, është një mundësi shumë e mirë për të thelluar më tej komunikimin dhe bashkëpunimin me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të Diasporës në zhvillimin e vendit.
Diaspora përfaqëson një kapital të madh njerëzor, social dhe ekonomik, i cili nëse vihet në funksion në mënyrën e duhur, mund të sjellë përfitime të shumëfishta për ekonominë e vendit, por edhe për kontribuesit nga Diaspora.
Ekonomia shqiptare po kalon një momentum pozitiv. Ajo është vlerësuar së fundmi si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, ndërkohë që kemi hyrë tashmë në një fazë të re zhvillimi.
Vlerësimet pozitive në seri të institucioneve ndërkombëtare, që nga FMN, Banka Botërore, rishikimi në rritje i perspektivës nga agjencitë e vlerësimit, si edhe dalja nga lista gri e FATF/MONEYVAL janë të gjitha zhvillime, që konfirmojnë këtë momentum pozitiv, por edhe që pritet të ndikojnë në aspekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimet e huaja.

Projeksionet për rritjen ekonomike janë mesatarisht 4% për periudhën afatmesme. Për gjysmën e parë të këtij viti, investimet e huaja arritën në rreth 700 milionë euro ose 7.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjithashtu, të dhënat e fundit për numrin e vizitorëve të huaj për janar-tetor 2023 janë shumë pozitive, me rreth 9 milionë vizitorë të huaj, me një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë. Pritshmëritë janë që këtë vit të tejkalohet shifra prej 10 milionë vizitorë të huaj.
Procesi i integrimit dhe negociatat kanë pasur ecuri të kënaqshme dhe kjo u konstatua edhe në në Raportin e fundit të Komisionit Evropian.

Plani i ri i Rritjes, i prezantuar nga Komisioni Evropian, ku parashikohen 6 miliardë euro grante dhe kredi për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shërbejë gjithashtu si një ankorë për të përshpejtuar më tej reformat. Ky plan synon të sjellë për vendet e rajonit disa nga përfitimet e anëtarësimit, përpara hyrjes zyrtare në BE, të nxisë rritjen ekonomike dhe të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike.
Ky moment i mirë integrues, që kërkon në thelb ndërlidhjen e tregjeve të rajonit me tregjet e Bashkimit Europian dhe që synon konvergjencën ekonomike të këtyre vendeve me vendet anëtare të BE-së, është një mundësitë e mirë për përfshirjen e energjive, kapaciteteve njerëzore dhe financiare, por edhe të njohurive të Diasporës shqiptare në këtë drejtim.
Diaspora Shqiptare ka rol të posaçëm edhe në procesin e integrimit evropian, kjo edhe për faktin se Shqipëria renditet mes shteteve me numrin më të lartë të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijtë në raport me ata që jetojnë brenda vendit.

Në këtë drejtim, sipërmarrësit, personalitetet, profesionistët shqiptarë, të cilët janë integruar në shtetet ku jetojnë, janë ambasadorët më të mirë të vendit, si në kuadër të imazhit, ashtu edhe sa i përket kontributit konkret që mund të japin në këtë proces të rëndësishëm.
Diaspora ka gjithashtu një rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm social e ekonomik të vendit, duke kontribuar në sektorë si energjia, turizmi, inovacioni dhe aftësitë, arsimi, angazhimi i të rinjve, kultura, etj.
Përtej dërgimit të remitancave, diaspora shqiptare ka potencial për të promovuar sipërmarrjen dhe investimet e huaja direkte.

Në këtë kontekst, ekzistojnë mundësitë dhe hapësirat për një përfshirje edhe më të gjerë të diasporës, përmes projekteve dhe investimeve në sektorët prioritarë.
Gjithashtu, procesi i ndërkombëtarizimit të bizneseve konsiderohet një element kyç sa i përket zhvillimit ekonomik, duke përfshirë zgjerimin e pjesëmarrjes së bizneseve në tregjet ndërkombëtare përmes eksportit, partneriteteve dhe përdorimit të teknologjive të avancuara për të rritur konkurrueshmërinë.
Besoj se duhet të kalojmë në konkretizim, duke angazhuar strukturat që janë ngritur, Dhomën e Biznesit të Diasporës, Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrin e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit të përkthejmë eksperiencën dhe mësimet e nxjerra gjatë kësaj periudhe në veprime konkrete që bazohen në modelet më të mira që kanë funksionuar edhe në vendet e tjera.

Dhe kjo është ajo çka pres dhe dëshiroj të jetë fokusi i panelit në vijim.
Për gjithë sa më sipër, ju siguroj se angazhimi i Ministrisë që përfaqësoj do të jetë maksimal.

Arena e Lajmit

Samiti me Diasporën, ministri Mete: Koha për të vepruar, të marrim eksperiencat dhe modelet më të suksesshme nga vendet e tjera

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook