Shqipëria rishkroi historinë në futboll, teksa për herë të dytë u kualifikua në finalet e një Evropiani. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë për News24, për emisionin “Sport News” të moderuar nga Trevisa Tufa, analizoi rrugëtimin e Shqipërisë në Euro2024.
Nga emocionet e kualifikimit, te komponentët që sollën këtë sukses dhe deri gëzimi në dhomat e zhveshjeve, numri një i futbollit shqiptar tregoi momentet më kyçe të kualifikuesve. Duka e cilëson ekipin aktual si më të mirin në historinë e futbollit shqiptar.
-Më thuaj të drejtën, e besoje realisht se mund të zhvillonim një fushatë të tillë kualifikuese?
Emocionet më të mëdha kanë qenë pas ndeshjes në Moldavi, në të cilën Shqipëria siguroi kualifikimin në Evropian dhe pak a shumë vendin e parë në grup. Ishin emocione të papërshkrueshme, patëm shumë gëzim. Edicioni ka qenë shumë i mirë, nga të mirët që ka bërë në historinë e vet Kombëtarja shqiptare, madje do thosha më i miri ndonjëherë jo vetëm me rezultate shumë pozitive, por edhe me performanca shumë të mira, me gola të bukur, me stadiumin mbushur në të gjitha ndeshjet e zhvilluara në Tiranë, me kërkesa mbi kapacitetin e “Air Albania”-s, por edhe me mbështetjen e tifozëve në ndeshjet jashtë fushe. Një edicion fantastik në të gjitha këndvështrimet dhe padyshim i kurorëzuar me një vend të parë si asnjëherë tjetër.
-E kishe imagjinuar që në tetë vite Shqipëria do të shkonte dy herë në Evropian?
Ka qenë objektiv deri në nivelin e ëndrrave të parealizueshme për ne kualifikimi në një turne final, por më pas u kthye në një mision për t’u realizuar. E bëmë këtë në 2016-n dhe kam menduar se do të përsëritet, madje mund të ishte përsëritur edhe në 2020-n, ndërsa për 2024-n u kthye në një objektiv fiks i lançuar në strategjinë e FSHF-së pa nisur eliminatoret, jo nisur nga dëshira, por sipas mundësive dhe resurveve që ka ekipi ynë kombëtar, futbollistëve në përbërje, organizimit dhe përkushtimit që kishte. Kështu që ka qenë një objektiv, por të ndërgjegjshëm që nuk ishte i lehtë për t’u përmbushur.
-Jemi realisht një ekip kaq i fortë, apo kishim pak fat në short?
Nuk mund të them që kishim fat në short, sepse në grup kishim dy skuadra që vinin sipër nesh nga vazot dhe me një histori shumë më të mirë jo vetëm në performancë, por edhe në rezultate, ekipe që Shqipëria nuk kishte fituar me mbi 70 vjet më parë kundër tyre, pjesëmarrës në shumë Kampionate Botërore, por edhe Evropiane dhe finaliste. Mund të kishte mbase një skuadër edhe më të fortë, por mund të kishte edhe ndonjë më të lehtë, si San Marino dhe jo Ishujt Faroe, që nuk ishte aq e dobët, na morën barazim në Tiranë dhe morën pikë edhe në Kishinjev në Moldavi, humbën në Çeki me një penallti. Pra, nuk mund të them që kishim fat, ishim skuadër e mirë, me kualitete, skuadër e organizuar mirë dhe vërtet bëri mirë këtë edicion,
-Të vjen keq që nuk e arritëm të thyenim rekordin e pikëve me 19 pikë, nuk dukeshit aq i lumtur pas përfundimit të ndeshjes me Ishujt Farore…
Padyshim që dëshira ishte që ndeshjen e fundit ta mbyllnim me një fitore kundër një skuadre të vendit të fundit dhe në sytë e publikut tonë, që me vërtet e priste atë fitore. Do të ishte mirë që t’i kishim fituar të dyja ndeshjet e fundit, edhe në Moldavi, edhe këtu me Ishujt Faroe dhe mundësitë kualitative ishin, por futbolli kështu është, nuk i përgjigjet gjithnjë dëshirave, nuk është shkencë ekzakte, mund të fitosh me një rezultat të pabesueshëm ndaj Çekisë dhe mund të barazosh me Ishujt Faroe.
-Pas De Biasit, tani kemi një tjetër shqiptar, Sylvinho-n, mori dhe “Shqiponjën e Artë”, vetëm një emër shqiptar nuk po i gjejmë dot…
Emrin në historinë e Shqipërisë, Sylvinho e shkruan me punën e tij dhe me rezultate. Deri tani e ka shkruar dhe nuk është e rëndësishme nëse do të ketë emër shqiptar apo pasaportën shqiptare. E rëndësishme është çfarë gjurmësh do të lërë me kontributet e tij në futbollin shqiptar.
-President, shifrat në futboll tregojnë shpesh të vërtetën, është ky ekipi më i mirë që Shqipëria ka pasur në drejtimin tuaj?
Po, është ekipi më i mirë, jo vetëm me rezultatet, por edhe me përbërjen më të mirë, me futbollistë që luajnë në nivele të larta, ku 7 prej tyre janë pjesë e Serisë, ku luajnë rregullisht, kontribuojnë dhe janë titullarë në Serie A, por edhe me futbollistë të tjerë që luajnë në kampionate të rëndësishme. Nuk besoj se ka ndodhur më parë që në stolin e Shqipërisë të ishin 3 futbollistë nga La Liga. Këto janë prova për të thënë që është vërtet një ekip i mirë, por jo vetëm këto, edhe performanca në fushë ishte fantastike, duke u marrë 3 ekipeve nga 4 pikë dhe vetëm me Poloninë kemi ndarë pikët. Gjithashtu, kemi fituar me gola të bukur dhe jo më kot në garën për golin më të bukur të UEFA-s janë dy gola të kuqezinjve, i Asllanit në transfertë ndaj Ishujve Faroe dhe ai Asanit ndaj Polonisë në “Air Albania”, si asnjë kombëtare tjetër.
-Për kë do të votosh?
Janë të dy të bukur, e kam shumë të vështirë t’i ndaj ose do të mundohem që të votoj dy herë (qesh). Po thosha që kemi fituar në të gjithë komponentët, me mbajtje topi, me performancë, me gola, me spektaklin total jo vetëm me ekipin, kështu që ky edicion ka qenë fantastik dhe prandaj është më e mira e gjitha kohërave.
-Çfarë do veçoje nga ky rrugëtim, cili ishte detaji që të ka bërë më shumë përshtypje?
Fillimi jo i mirë me humbjen të pamerituar në Poloni u dha njerëzve shpresë që ne kemi një skuadër të mirë. Momenti më pozitiv ishte goli i Bajramit në Çeki, sepse një humbje do ta demoralizonte në një farë mënyre skuadrën. Pastaj, padyshim që dy fitoret në Tiranë ishin fantastike ndaj dy kundërshtarëve që jo vetëm kanë bërë historinë në futboll, por që kanë në përbërjen e tyre futbollistë të mirë dhe kanë ekip të mirë.
-Flitet shumë për golat, por vetëm Portugalia dhe Franca bënë më mirë se sa Shqipëria, vetëm 4 gola të pësuar, çfarë do të thotë për ju ky detaj?
Ne jemi në vendin e tretë sa i përket pësimit më pak gola. Fatkeqësisht morëm gol në fund në Moldavi, pasi do të ishim më mirë akoma. Kjo tregon që kemi një skuadër të organizuar në mbrojtje jo vetëm në vijën difensive, që padyshim e kemi me futbollistë shumë cilësorë, Hysaj me kualitet të lartë, Ismajli gjithashtu, Gjimshiti një nga mbrojtësit më të mirë të Europës dhe zbulimi i fundit Mitaj që ishte në një nivel gjatë këtij edicioni, pa harruar Berishën në portë, por edhe organizimi i skuadrës në mbrojtje. Nuk mund të mbrohesh vetëm me mbrojtësit, por me gjithë skuadrën. Kështu që është tregues shumë pozitiv, pra kemi fituar në të gjitha këndvështrimet.
-Për ta mbyllur këtë diskutim, cila ishte sfida që ke shijuar më shumë? Nuk di ta ndaj ku festuat më shumë në dhomat e zhveshjes pas fitores me Poloninë apo me Çekinë?
Kam festuar vërtet shumë kundër Polonisë, mund të them akoma më shumë kundër Çekisë, pasi edhe rezultati 3-0 ishte disi i papritur. Personalisht, dy ndeshjet që i kam përjetuar me më shumë emocione dhe me më shumë presion kanë qenë dy sfidat me Çekinë, në Pragë dhe në Tiranë. Fitorja 3-0 kundër Çekisë ka pasur vërtet një shpërthim shumë të madh emocional. Me sa kam arritur të lexoj dhe të shoh, sepse në atë moment nuk kupton asgjë në dhomat e zhveshjes, edhe ekipi e ka shijuar me më shumë emocion dhe kënaqësi.
()