Gjatë samitit të OSBE-së të mbajtur sot në Shkup, pjesëmarrës ishte edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte braktisja e sallës nga disa delegacione gjatë fjalimit të shefit të diplomacisë ruse.
Pjesëmarrja e diplomatit rus u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror, ndërsa fjalimi i Lavrov u bojkotua edhe nga ministrat e disa shteteve pjesëmarrëse, por jo nga Shqipëria sipas deputetit demokrat Tritan Shehu.
Ministrat e Jashtëm të Danimarkës, Çekisë dhe Polonisë mes të tjerësh braktisën sallën pasi Lavrov mori fjalën, ndërsa më herët Blinken, Borrell dhe zyrtarë të tjerë kishin lajmëruar se nuk do merrnin pjesë gjatë fjalimit të kryediplomatit rus.
Megjithatë sipas deputetit të Partisë Demokratike Shehu, ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani nuk ishte në mesin e atyre që u larguan nga salla e OSBE-së dhe qëndroi në të gjatë fjalimit të Lavrov, ku ky i fundit foli edhe për Kosovën dhe Serbinë.