Acromax ka publikuar informacione ekskluzive se kur do të jetë e mundur që artistët dhe televizionet të kenë mundësinë të përfitojnë nga klikimet në YouTube kur ato klikohen në Shqipëri.
Burime të sigurta të Acromax kanë treguar që kryeministri Edi Rama ka shprehur interes të madh që ky proces të përshpejtohet pasi do t’i sjelli çdo producenti shqiptar një burim të ri financiar. Deri atëherë kanalet të cilat kanë primare audiencën shqiptare do kenë në fokus vetëm arritjen e audiencës pa pasur mundësinë që të gjenerojnë të ardhura nëse shikuesi ndodhet në territorin e Shqipërisë.
Ndërkohë kuptuam që Shqipëria edhe pse nuk është akoma në listat e duhura, ka miq dhe dashamirës tek YouTube pasi disa nga punonjësit e YouTub-it nga Anglia përshëndetën me përzemërsi me shenjën e shqiponjës.
Aktualisht një artist ose emision duhet të gjenerojë klikime në vendet ku YouTube-i ka lançuar shitjen e reklamave si Gjermania, Austria, Amerika, etj, në mënyrë që të gjenerohen të ardhura. Çdo klikim nga Shqipëria ose Kosova nuk gjeneron të ardhura.
Vetëm nga partnerët e Acromax-it ka deri në 600 milionë klikime “dëm” çdo muaj pa u paguar.
Në një mbrëmje në Berlin punonjësit e Acromax, Xhesilda Projka dhe Glanduela Leci përfaqësuan CEO-n e Acromax-it Aldor Nini, dhe morën më shumë informacione rreth statusit të Shqipërisë në procesin e zgjerimit të shteteve në të cilat YouTube-i do të startojë së shpejti.
Në radhë të parë do duhet që sistemi Google për reklamat të njohë gjuhën shqipe në mënyrë që shërbimet e reklamave të funksionojnë nga territori i Shqipërisë, diçka që akoma nuk është bërë. Së dyti duhen krijuar bazat ligjore në mënyrë që Shqipëria të jetë në një linjë me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, jo vetëm për sa i përket ligjeve që lidhen me të drejtat e autorit por edhe ato të taksave dhe ligjeve të tjera.
Së treti, YouTube duhet të lidhë marrëveshje me agjencitë kolektive në Shqipëri, por ato duhet të kenë aftësitë jo vetëm që të shpërndajnë të ardhurat lidhur me të drejtat e autorit siç duhet, autorëve, interpretuesve, etj, por edhe sistemet kompjuterike që të përpunojnë të dhënat nga platformat. Deri më sot agjencitë shpërndajnë të ardhurat me Excel. Së katërti, duhet të jetë vullneti i YouTub-it që një vend si Shqipëria të shtohet në listën e gjatë të shteteve, listë nga e cila mundet të hiqen shtete në të cilat YouTub-i nuk ka më interes të qëndrojë, kështu që shtimi i një shteti si Shqipëria duket edhe më i vështirë.
Për sa i përket disa nga pikave të lartpërmendura, ato janë totalisht në dorën e qeverisë shqiptare. Një nga ato për shembull që do jetë elementare është funksionimi i agjensive kolektive, të përfaqësuara nga SUADA për mbledhjen e të ardhurave, dhe të liçensuara nga Ministria e Kulturës për shpërndarjen e tyre. Vëmë re se aktualisht shumica e partnerëve të Acromax-it nuk përfitojnë të ardhura nga këto agjenci, por edhe mbledhja nuk funksionon siç e parashikon ligji.
Arena e Lajmit