Ka nisur punimet Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Kuvendi nisi me himnin kombëtar, ku demokratët u ngritën në shenjë nderimi të gjithë në këmbë. Ndërkohë, Berisha ka shkuar në Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha dhe e bija, Argita Malltezi.
Ashtu siç edhe është lakuar nga Berisha dhe mbështetës të tij, në këtë mbledhje do të bëhet votëbesimi i kryetarit të Partisë. Po ashtu, në rendin e ditës janë edhe disa pika të tjera, që lidhen me zhvillimet e brendshme në parti apo gjendjen e vendit. Pritet edhe miratimi i një rezolute si do të vazhdojë aksioni opozitar.
Berisha do të kërkojë sot votëbesimin e demokratëve në Kuvendin Kombëtar, pas humbjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit, ndërkohë që votimi nuk pritet të ketë supriza, duke konfirmuar sërish në krye Berishën. “Ju ftoj të ndiqni kuvendin. Kuvendin për betejë pa kthim”, deklaroi lideri demokrat. Ndonëse Berisha organizoi këtë Kuvend, 15 deputetët që mbështesin Gazment Bardhin nuk morën pjesë. Në një raportim live për News24, gazetari Osman Stafa deklaroi se asnjë prej deputetëve që mbështesin Bardhin, madje as ai vetë, nuk janë parë në Pallatin e Kongreseve.
Edhe pse Berisha e ka bërë një tërheqje duke njohur Gazment Bardhin si kryetar të grupit parlamentar, ky i fundit nuk e njeh atë si kryetar të Partisë Demokratike. “Grupi parlamentar i PD është i bashkuar. Pra, grupi është sot simbol i qëndresës së PD. Problemet, të cilat nuk i injoroj, janë në zgjidhje e sipër. Kjo është e sigurt. Dëshira është që deputetët të jenë në Kuvendin Kombëtar, por bashkëpunimi do të vazhdojë sikur kanë qenë në sallë”, tha Berisha.
()