Dy të rinj në Elbasan janë vënë në prangat e policisë, pasi ishin shpallur në kërkim për kultivim droge. Burime zyrtare bëjnë me dije se pas hekurave ranë shtetasit Artur Malja, 36 vjeç dhe Flavjo Dervishi 23 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISE
Ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antikanabis “Krasta”, të akuzuar për kultivim të bimëve narkotike. Dy të ndaluarit, të dyshuar si autorë të kultivimit të 250 bimëve narkotike, në muajin qershor, në fshatin Seltë, bimë të asgjesuara gjatë dy fazave të operacionit policor të koduar “Krasta”.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan duke përdorur dhe metodat proaktive ndaluan shtetasit: A. M., 36 vjeç, banues në Krujë dhe F. D., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Pas hetimeve të thelluara nga strukturat hetimore të DVP-së dhe Komisaraitit të Poclisië Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan bazuar në provat e siguruara nga hetimi ka caktuar për këta 2 shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në territorin e fshatit Seltë, njësia administrative Zavalinë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta”, përgjatë dy fazave të tij, zhvilluar në muajin qershor, u gjetën në pronë publike, rreth 250 bimë narkotike kanabis, në kultivimin e të cilave dyshohet se janë bashkëpunëtorë shtetasit A. M. dhe F. D.
Gjithashtu, për këto raste, në kuadër të dy fazave janë vënë në pranga 2 inspektorë pyjesh dhe kryetari i fshatit, për shpërdorim detyre, si edhe 2 shtetas të tjerë, për kultivimin e bimëve narkotike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.