Çmimi i vajit të lulediellit dhe sheqerit u ul 34%, shtrenjtohen deri 17% orizi, fasulet, drithërat dhe restorantet

Çmimi i vajit të lulediellit dhe sheqerit u ul 34%, shtrenjtohen

Çmimet për një sërë produktesh të shportës ushqimore kanë shënuar rënie këtë vit krahasuar me vjet sipas të dhënave të kompanive importuese.

Ndër produktet e shportës ushqimore me rënien më të lartë që varion nga 30 deri 34% është vaji i lulediellit dhe sheqerit, ndërsa çmimet e shitjes për orizin, fasulen dhe drithërat janë rritur nga 1,5 deri në 15,5%.

Sipas të dhënave të kompanisë importuese dhe paketuese të mallrave ushqimore “Teuta” për periudhën tetor-nëntor 2022 çmimi mesatar i shitjes së vajit të lulediellit ishte 350 lekë për litër. Për të njëjtën periudhë të këtij viti çmimi mesatar i shitjes për vajin e lulediellit është 201 lekë për litër, duke shënuar rënie 34%.

Rënia e shitjes së vajit të lulediellit raportohet edhe nga importues të tjerë, ku sipas tyre aktualisht vaji i lulediellit po tregtohet me shumicë me çmim nën 200 lekë për litër (çmimi varion nga 150 deri 180 lekë për litër).

Ulja e çmimit të vajit të lulediellit nisi nga muaji qershor 2022, periudhë në të cilën nisi të importohet vaji nga depozitat e Ukrainës drejt vendeve kufitare, pasi transporti detar ishte i bllokuar nga lufta. Në muajin korrik 2022 çmimi i vajit u ul 24% krahasuar me çmimin e shitjes pas luftës.

Pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë dhe vështirësive të krijuara në importin e vajit të lulediellit çmimet në tregun shqiptar u rritën rreth 33%. Në muajin mars 2022 çmimi i vajit të lulediellit u tregtua 330 lekë për litër nga 249 lekë për litër që ishte në muajin shkurt (32,5% rritje). Pas kësaj periudhë çmimi u rrit edhe rreth 9% dhe arriti 370 lekë për litër, ndërsa në mesin e muajit prill çmimi i vajit me pakicë arriti pikun 400 lekë për litër.

Rënie të çmimit ka pasur edhe për sheqerin. Çmimi mesatar i sheqerit sipas të dhënave të kompanisë Teuta për muajt tetor-nëntor 2023 arriti 100 lekë për kg nga 115 lekë për kg që ishte vjet (rënia 15%).

Edhe importues të tjerë pohuan për Monitor se shitjet e çmimit të sheqerit me shumicë aktualisht janë 100 lekë për kg nga 130 lekë për kg që u shit vjet (rënie 30%).

Ndryshimi i çmimit të sheqerit është ndikuar nga rënie e shitjes së tij në bursa dhe ndryshimi i kursit të këmbimit të dollarit, monedha me të cilin blihet sheqeri në bursa.

Te produktet e shportës rritje të çmimeve për muajt tetor-nëntor ka pasur për orizin, fasulet dhe drithërat.

Orizi nga 152 lekë për kg që u shit për muajt tetor-nëntor të vitit të kaluar, sivjet ka arritur në çmimin mesatar prej 156 lekë (rritja rreth 3%).

Ndërsa çmimi mesatar i shitjes për fasulet e paketuara nga 214 për kg që ishte vjet, për 2023 çmimi mesatar i shitjes është 247 lekë për kg, me një rritje prej rreth 15,5%.

Çmimi mesatar i shitjes për drithërat ka pësuar rritje prej 1,5%.

Rritje të çmimeve për këtë vit ka pasur edhe të restorantet. Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahja tha për Monitor se shpenzimet për person në restorante variojnë nga 3,500 deri 4,000 lekë nga 3,000 deri 3,500 lekë për person që arrinin vjet.

Shpenzimet për restorante janë rritur nga 13 deri 17% për person.

Pesha e shpenzimeve për ushqime dhe pije jooalkoolike te familjet shqiptare vijon të mbeten më e larta krahasuar me vendet europiane. Shpenzimet e shqiptarëve në 2022 për ushqime dhe pije joalkoolike zunë 39,7% të shpenzimeve të buxhetit familjar sipas të dhënave të INSTAT.

Pesha e lartë e shpenzimet për ushqime në Shqipëri krahasuar me vendet e Europës direkt është një nga treguesit kryesore për nivelin e të ardhurave të ulëta të familjeve shqiptare, çmimeve të larta dhe varfërisë.

Sipas INSTAT, në vitin 2022, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një Njësi Ekonomike Familjare, e përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, vlerësohen me 88,367 lekë, 4,5% më të larta se në vitin 2021.

Pjesa tjetër e shpenzimeve me peshë 9,8% zunë pagesat e energjisë, ujit, dhe qiranë. 6,5% të shpenzimeve e zënë ato për mobilim dhe mirëmbajtje. Pesha e shpenzimeve për transport në 2022 ishte 6,9%, për restorante dhe bare 7,3% dhe për veshje dhe këpucë 5%.

Mesatarja e shpenzimeve për ushqimet e shportës ushqimore në Europë sipas Eurostat arrin 13,6%, rreth 3 herë më e ulët se Shqipëria. Vendi me shpenzimet më të ulëta për ushqime, çka tregon mirëqenien e shoqërisë në Europë është Anglia me 7,9%. Në vendet e tjera të zhvilluara si Irlanda, Luksemburgu dhe Holanda shpenzimet për ushqime zënë nga 9 deri 11,7% të ardhurave./Monitor

Çmimi i vajit të lulediellit dhe sheqerit u ul 34%, shtrenjtohen deri 17% orizi, fasulet, drithërat dhe restorantet

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook