Nuk ka paqe për Barcelonës, ekipi i Xavit është mbërthyer nga një krizë totale, e përcjellë tashmë edhe në Champions. Në sfidën e fundit, atë kundër Antwerp, blaugranat pësuan një humbje 3-2, një humbje që djeg për nga mënyra se si erdhi, me gafa pafund në mbrojtje, por kjo disfatë nuk i kushtoi kreun. Sfida nisi me gol që në minutën e parë, me belgët që përfituan nga një gafë e Romeu. Barça u rikthye në lojë në minutën e 35-të me Ferran Torres që barazoi shifrat në 1-1. Me fillimin e pjesës së dytë, Antwerp gjeti golin e dytë me Janssen.
Fundi i sfidës, shtesa ishte “zjarr”, me Barcelonës që barazoi edhe një herë rezultatin në 2-2 fal një goli të shënuar nga 17-vjeçari Marc Guiu. Nuk ishte i thënë që sfida të mbyllej këtu pasi belgët i befasuan në fund duke realizuar golin e tretë dhe të fitores. E ka të vështirë të gjejë fjalët e duhura trajneri Xavi pas kësaj humbje:
“Jam i shqetësuar dhe kjo është normale. Jemi në një moment jo pozitiv, vijmë nga dy humbje radhazi. Duhet të jemi kritikë ndaj vetes. Duhet të përmirësohemi. Të gjithë duhet ta kuptojmë se kjo nuk është ajo çfarë pritet nga Barcelona”, u shpreh Xavi.
Me Barcelonën në 1/8 e Champions League udhëton edhe Porto. Portugezët mposhtën 5-3 Shakhtar duke e mbyllur Grupin H në vendin e dytë me 12 pikë, po aq sa edhe Barcelona. Me 9 pikë, Shakhtar e mbyll në vendin e tretë, kalon në Europa League, ndërsa Antwerp i Arbnor Mujës mbetet jashtë Evrope.
()