Sot u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë zhvillua mbledhja e nëntë vjetore e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP), nën drejtimin e Luljeta Minxhozi, Kryetarja e këtij Komiteti dhe Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë.
Përveç anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave në mbledhje merrnin pjesë dhe Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Endrit Yzeiraj si dhe përfaqësues nga Banka Botërore, Banka e Italisë dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Në takim ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga bankat tregtare, institucionet financiare jobanka, operatorët e skemave kombëtare të pagesave me kartë, si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë.
Në fjalën e saj, zj. Minxhozi diskutoi mbi përmbushjen e objektivave të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël, ku nga pikëpamja rregullative, u arrit përafrimi i kuadrit tonë me atë të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për shërbimet e pagesave PSD2, ndërsa jemi në fazën e fundit të aprovimit të ligjit për llogarinë e pagesave për shërbime bazike, edhe ky i përafruar me direktivën e BE-së.
Ajo u shpreh se Banka e Shqipërisë ka nisur punën për anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave, ose njohur ndryshe SEPA, që prej vitit 2021, kur u bëmë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA jo vetëm që do të shënojë një hap tejet të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian. Gjithashtu ky projekt vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në disa sektorë strategjikë siç është turizmi dhe eksportet me BE, ndërkohë që pritet të ndikojë dhe formalizimin e flukseve të remitancave,” tha zj.Minxhozi.
Në vijim, zj. Minxhozi gjithashtu u ndal në punën e Bankës së Shqipërisë për implementimin e një zgjidhjeje për pagesat e shpejta (instant payment) të cilat janë një mundësi alternative për pagesat elektronike, ndërsa sigurojnë pagesa përgjatë 24 orëve në çdo ditë të javës me kosto më të ulëta se instrumenti alternativ, kartat.
Për këtë qëllim, po bashkëpunohet edhe me Bankat Qendrore të Sistemit Evropian, si ajo e Italisë, por dhe Bankën Qendrore Evropiane. Implementimi me sukses i këtij sistemi, eventualisht do të krijojë kushtet për integrimin tonë në sistemin evropian TIPS, por mund të shërbejë potencialisht si një zgjidhje dhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimeve infrastrukturore duke u ndalur në miratimin e rregullores “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”, e cila hyn në fuqi në janar të vitit 2024. Kjo rregullore ka për qëllim të vendosë standarde të sigurta për funksionimin e open banking, si dhe të garantojë sigurinë dhe konfidencialitetin e kryerjes së pagesave nga përdoruesit e shërbimeve të pagesave. Nga ana tjetër, ajo vuri theksin në rëndësinë e madhe që ka progresi i bankave në përgatitjet e veta për zbatimin e standardeve të rregullores. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë po i kushton një vëmendje të veçantë këtij procesi dhe po e monitoron atë nga afër, në mënyrë që gjithçka të përmbyllet me sukses, brenda afatit të përcaktuar janar 2024.
Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Endrit Yzeiraj shprehu mbështetjen e Ministrisë për projektet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për ndryshimet rregullatore që kërkohen në kuadër të anëtarësimit në SEPA, një objektiv i rëndësishëm ky i qeverisë shqiptare në axhendën e integrimit evropian.
Gjithashtu, z. Yzeiraj vlerësoi gjetjen e një zgjidhjeje për pagesat e shpejta, si një instrument i cili do të mundësojë zhvillimin e projekteve të tjera të ndërlidhura të qeverisë, si ai mbi zhvillimin e tregtisë elektronike, dixhitalizimit të plotë të fiskalizimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve në e-Albania.
Mbledhja e Komitetit vijoi me prezantime dhe diskutime teknike mbi kriteret e anëtarësimit në SEPA dhe kërkesat për Shqipërinë; zbatimin e projektit mbi pagesat e shpejta; përditësimin e Sistemeve të Pagesave të operuara nga Banka e Shqipërisë dhe ecurinë e krijimit të kushteve teknike nga bankat për zbatimin e standardeve të sigurisë të kërkuara nga open banking.
Mbledhja u mbyll me prezantimin e Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare. Strategjia bazohet në standardet, udhëzimet dhe parimet ndërkombëtare të hartuara nga OECD dhe të miratuara nga G20 dhe përcakton një plan veprimi me objektiva të qarta.
/monitor