Para Gjykatës së Posaçme, ish-ministri i Drejtësisë mohoi me forcë që t’i ketë përcjellë Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2007 një shkresë me shënimin “për z. Shkëlzen Berishën”. “Shkresa në fjalë, e datës 09.03.2007, ishte dërguar me herët me postë dhe me fax për në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ndërsa shkresa me shënimin me shkrim dore është dërguar disa ditë më vonë. Asnjë fax nuk është dërguar nga unë, asnjëherë, për asnjë ministër. Ministri firmos shkresa, që më pas protokollohen dhe dërgohen. MM e ka pasur shkresën 5 ditë para mbërritjes së faksit me shënim”, tha Brumçi.
Ish-ministri tha se shënimi me shkrim dore nuk është i tij dhe se ai ka kallëzuar faktin për “falsifikim”. “Unë kam bërë kallëzim penal dhe kam kërkuar akt ekspertim kaligrafik. Shkëlzen Berisha nuk ka punuar ndonjëherë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ja po e marrim të mirëqenë se do të flisja me Shkëlzen Berishën. Këtë do ta bëja me fax? Kisha mënyra të tjera kontakti. Ajo është një falsifikim, vetëm për të mbajtur gjallë një çështje politike”, theksoi dëshmitari.
Bumçi tha se kishte njohje me Shkelzen Berishën. “Takimet me të kanë qenë të rralla, kryesisht gjatë fushatave zgjedhore. Kur isha në ministri ka ardhur shumë rrallë, 1 ose 2 herë, por për arsye që lidheshin me fushatën zgjedhore. Nuk kam bërë kurrë me të një bisedë në lidhje me funksionin tim si ministër”, tha më tej Bumçi.