Një tjetër rekord sezonal u vendos në NBA. Në ndeshjen mes Milwaukee Bucks dhe Indiana Pacers, Giannis Antetokounmpo realizoi 64 pikë dhe 14 rebound. Basketbollisti grek ishte i papërmbajtshëm, duke vendosur rekord për këtë sezon.
Ky është edhe rekordi i tij personal, ndërkohë që ndeshja pati disa sherre të vogla si në fushë ashtu dhe pas saj, në dhomat e zhveshjes. Milwaukee mposhti 140-126 Indianan, duke iu bashkuar Boston në krye të renditjes në Konferencën e Lindjes.
Edhe Philadelphia qëndron mes ekipeve pretendente në Lindje pas fitores 129-111 në fushën e Detroit. Joel Embiid protagonist, autor i 41 pikëve e 11 rebound. Ishte fitorja e katërt radhazi për Philadelphian, e cila është vetëm një hap larg dy skuadrave të kreut në vendin e tretë.
Në Perëndim rikthehet te fitorja skuadra e Los Angeles Lakers, që mundi 122-119 San Antonio, në një ndeshje të hapur deri në fund. Davis ishte protagonist për ekipin kalifornian, autor i 37 pikëve e 10 rebound, ndërsa 30 pikët e Wembanyama për Spurs mbetën për statistikë. LeBron James mungoi në këtë sfidë.
()