A rrezikon Kosova luftë etnike për shkak të Serbisë? Përgjigjet eksperti amerikan

A rrezikon Kosova luftë etnike për shkak të Serbisë?

Charles Kupchan, akademik në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ishte i ftuar këtë të shtunë në podkastin “Inside Albania” nga gazetarja Alice Taylor.

Kupchan bëri një analizë të thelluar të situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa paralajmëroi se ekziston rreziku për përshkallëzim të dhunës me motive etnike në rajon.

“Ka qartësisht një rrezik për dhunë dhe është e dukshme nga fakti se kemi parë shpërthime dhune së fundmi në veri të Kosovës dhe në Banjskë. Situata në Kosovë nuk është përmirësuar që kur vendi shpalli pavarësinë dhe në fakt kemi parë regres së fundmi, për shkak të disa veprimeve të Qeverisë në Prishtinë, si ndryshimi i targave, kartave të identitetit, vendosja e kryetarëve në komunat veriore, pavarësisht se ata u zgjodhën nga një përqindje shumë e ulët e popullatës.

Këto konsiderohen veprime provokuese nga serbët dhe Beogradi dhe për pasojë, propozimi shumë konstruktiv nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ka ngecur. Kemi dëgjuar raportime për mobilizim të ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, NATO flet për shtim të përhershëm të KFOR. Mund të dalim në përfundimin se rastet e izoluara të dhunës mund të përshkallëzohen,” sqaroi Kupchan.

I pyetur nëse veprimet e Qeverisë së Kosovës janë të drejta, Kupchan sqaron se përtej justifikimit ligjor dhe moral, Kryeministri Albin Kurti nuk po vepron në mënyrë të mençur në aspektin politik.

“Nuk ka dyshim se Prishtina ka të drejtën ligjore dhe morale të dojë territorin që është pjesë e Kosovës sovrane dhe të pavarur, dhe t’ia bashkojë qeverisë qendrore, t’i integrojë ata në një shoqëri më të gjerë multi-etnike. Nëse hapat e ndërmarra nga Kurti janë produktive ose jo, ky është tjetër debat. Mendoj se Qeveria aktuale ka ndërmarrë disa hapa që e kanë dëmtuar pozitën e Kosovës në syrin e opinionit publik.

Në kohën e ndërhyrjes së NATO-s që çoi në ndarjen e Kosovës nga Serbia, opinioni publik ishte në krahun e Kosovës dhe Serbia, Vuçiç dhe ata që vinin para tij shiheshin si problemi. Tani kemi një situatë ku SHBA dhe BE e shohin Prishtinën si problem. Po ndërmerr veprime që nuk e ndihmojnë vendin kur bëhet fjalë për të përparuar drejt marrëveshjes që BE ka vënë në tryezë. Edhe nëse ajo që Kurti po bën është e justifikuar ligjërisht dhe moralisht, nuk është politikisht e mençur”.

Kupchan u ndal të analizonte edhe problemin madhor të trafikimit të armëve në Ballkanin Perëndimor, si dhe rreziqet që burojnë për shkak të shteteve të dobëta që nuk kontrollojnë dot shoqëritë.

“Mendoj se situata në Ballkanin Perëndimor, parë gjerësisht, është shumë problematike. Ka trafikim në masë të armëve, kontrabandë dhe trafikim njerëzor. Në shumë këndvështrime, mendoj se ky problem vjen për shkak të shteteve të dobëta. Vjen për shkak të qeverive që nuk kanë kapacitetet me të cilat ne përshkruajmë një shtet modern. Pra, ata nuk kanë kontroll të plotë mbi shoqërinë, nuk janë të aftë të përdorin forcat policore, burokracitë, ministritë për të vendosur kontroll mbi fluksin e armëve dhe njerëzve.

Në njëfarë mënyre, i duhet shkuar në rrënjë problemit, për të ndërtuar kapacitetet shtetërore. Kjo, në kohë, kërkon që Ballkani Perëndimor të integrohet në Europë. Prandaj, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, Republikën Serbe dhe Bosnje Hercegovinën, këto probleme nuk mund të lihen të përshkallëzohen. Kjo sepse jo vetëm janë rrezik për dhunë etnike, por sepse i vështirësojnë qeverive ndërtimin e kapaciteteve shtetërore dhe krijimin e institucioneve funksionale që duhen për të kontrolluar fluksin e paligjshëm të armëve dhe njerëzve”.

Megjithatë, për ekspertin amerikan, nuk ka asnjë dyshim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në institucionet euro-atlantike, si orientim natyral i rajonit.

“Në administratën Biden, ka shumë individë me natyrë atlanticiste, përfshi këtu edhe presidentin Biden, i cili ka qenë i angazhuar për një kohë të gjatë në Ballkan. Mendoj se edhe në Europë ka një angazhim të ri. Rajoni ka vuajtur nga neglizhenca që ka ardhur nga Uashingtoni dhe BE-ja, por tani shoh se ata po përpiqen ta korrigjojnë këtë gabim. Jam optimist, besoj se rajoni do të jetë tërësisht i integruar në institucionet euro-atlantike. Është çështje kohe, jo nëse do të ndodhë”.

Nëse Rusia ka ndikim në rajon ose jo, përmes Serbisë si satelit të sajin, eksperti Kupchan është i mendimit se Kremlini po humbet terren në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht ndërhyrjeve.

“Rusët prej kohësh janë përpjekur të ndalojnë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Europë dhe institucionet atlantike. Qoftë çështja e emrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, qëndrueshmëria e Bosnje Hercegovinës, operacionet e inteligjencës në Serbi, marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën, kudo mund të gjesh gjurmë të përfshirjes së Rusisë. Mendoj se në këtë trajektore, Rusia po humbet terren. Kjo pjesërisht sepse disa nga ndasitë që Rusia ka kërkuar të shfrytëzojë, janë tejkaluar. Rusët nuk ia dolën të bllokonin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Ata dështuan ta pengonin Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut të arrinin një zgjidhje për çështjen e emrit. Pak nga pak, ndikimi rus po dobësohet dhe besoj se këtë e përshpejton edhe pushtimi rus i Ukrainës. Edhe një vend si Serbia, që nuk përkrah Ukrainën apo nuk linjëzohet me Perëndimin për vendosjen e sanksioneve, arrihet të shihet e njëjta pamje, se Rusia ka ndërmarrë një agresion të guximshëm kundër fqinjëve të saj. Nga shumë këndvështrime, besoj se po dëshmojmë përpjekjet e fundit të Rusisë për të penguar integrimin e Ballkanit Perëndimor”.

Për gazetaren Alice Taylor, Kupchan tregoi në cilat zona Rusia mund të përpiqet të shtrijë ndikimin, pas Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se përgjigja është në Kaukaz dhe Azinë Qendrore. Ata do të përpiqen të kenë ndikim në Siri dhe Afrikë përmes grupit Wagner. Por për shkak të distancës, për shkak të pozitës së Ballkanit Perëndimor, nuk mendoj se do t’ju mbetet shumë energji dhe vëmendje për këtë pjesë të Europës, aq sa rusët të vijojnë të luajnë rolin e plëngprishësit. Do të përfundojë duke u marrë me vende më pranë saj, veçanërisht në Kaukaz dhe Azinë Qendrore, sepse është më e lehtë ndërhyrja aty se në Ballkanin Perëndimor,” përfundoi Kupchan.

A rrezikon Kosova luftë etnike për shkak të Serbisë? Përgjigjet eksperti amerikan

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook