BSH: Rezultatet e deeuroizimit të vogla, por adoptimi i njëanshëm i Euros nuk është alternativë

Ecuria e treguesve që monitorohen në kuadër të strategjisë deeuroizimit gjatë gjashtëmujorëve të fundit ka qenë në kahun e duhur, por ndryshimet e treguesve kanë qenë të vogla. Në një prononcim për “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet se ecuria e deritanishme e strategjisë nxjerr në pah nevojën për ruajtjen e një fokusi afatgjatë në vlerësimin e efekteve të masave të deeuroizimit.

Banka e Shqipërisë nuk pret nga Qeveria masa që ndalojnë apo kufizojnë formalisht përdorimin e valutave të huaja në ekonomi, por krijimin e kushteve dhe mekanizmave që mbështesin përdorimin e monedhës vendase në rastet kur përdorimi i valutës nuk është i domosdoshëm. Banka e Shqipërisë këshillon që bizneset dhe familjet duhet të shmangin përdorimin e panevojshëm të valutave të huaja, si në transaksionet e tyre tregtare, ashtu edhe në kursimet apo huamarrjen financiare.

Lidhur me sektorët ekonomikë të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, siç janë bizneset eksportuese apo importuese, Banka e Shqipërisë vlerëson nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë midis bizneseve shqiptare dhe industrisë financiare, dhe në veçanti sektorit bankar, në drejtim të administrimit të rreziqeve financiare dhe mbrojtjes nga luhatjet e kursit të këmbimit.

Sipas Bankës Qendrore, adoptimi i njëanshëm i Euros si monedhë kombëtare nuk është një opsion për Shqipërinë. Një alternativë në teori mund të jetë adoptimi i një kursi të fiksuar të këmbimit, por Banka e Shqipërisë thekson, edhe një herë, qëndrimin e saj se regjimi aktual i kursit fleksibël të këmbimit është opsioni më i mirë për një vend në tranzicion si Shqipëria.

Si i vlerësoni rezultatet e deritanishme të paketës së deeuroizimit që u miratua në vitin 2017?

Në zbatim të Memorandumit të Bashkëpunimit “Për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare” të nënshkruar midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës së Shqipërisë në prill të vitit 2017, në shkurt të vitit 2018, Banka e Shqipërisë miratoi dhe vuri në zbatim një paketë masash që synonin nxitjen e përdorimit të monedhës vendase.

Këto masa konsistonin në diferencimin sipas valutës të kërkesave për rezervën e detyrueshme dhe për treguesit e likuiditetit dhe në prezantimin e disa kërkesave mbi transparencën e bankave ndaj huamarrësve në valutë lidhur me rrezikun e huamarrjes në valutë.

Objektivi i këtyre masave nuk është shmangia e plotë e përdorimit të monedhave të huaja, pasi niveli i hapjes së ekonomisë ndaj vendeve partnere tregtare nënkupton praninë e rëndësishme të monedhave të huaja në sistemin financiar.

Ajo që synohet nëpërmjet masave të deeuroizimit është ulja e masës së përdorimit të monedhave të huaja, deri në një nivel që konsiderohet i natyrshëm për një ekonomi të ngjashme me atë shqiptare. Një nga detyrimet që Memorandumi i ngarkon Bankës së Shqipërisë është publikimi i rregullt, dy herë në vit, i “Raportit mbi ecurinë e treguesve që monitoron Banka e Shqipërisë, në kuadër të procesit të deeuroizimit”. Këta tregues lidhen me aktivitetin e sistemit financiar dhe atij bankar dhe sigurohen nga raportimet e subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë, pranë kësaj të fundit.

Në raportin e fundit të publikuar në gusht 2023, Banka e Shqipërisë konstaton rritje të peshës së aktiveve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në valutë, që sugjeron rënie të rrezikut të likuiditetit nga veprimtaria në valutë; rënie të peshës së kredive në valutë ndaj tepricës së kredisë dhe rënie të peshës së kredive në valutë të pambrojtura nga rreziku i kursit të këmbimit, që tregon rënie të ekspozimit të bankave ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit; si dhe një dinamikë më pozitive në ecurinë e depozitave sipas valutës, në favor të depozitave me afat në lekë.

Në përgjithësi, ecuria e treguesve gjatë gjashtëmujorëve të fundit vlerësohet se ka qenë në kahun e duhur për të arritur objektivat e paketës së deeuroizimit, pavarësisht se ndryshimet e treguesve kanë qenë të vogla. Ecuria e deritanishme nxjerr në pah nevojën për ruajtjen e një fokusi afatgjatë në vlerësimin e efekteve të masave të deeuroizimit, ndërkohë që faktorët ekonomikë dhe socialë që mund të ndikojnë mbi këta tregues mbeten të larmishëm.

Deri tani, Banka e Shqipërisë është i vetmi institucion që ka ndërmarrë masa konkrete për të ulur përdorimin e valutave të huaja në ekonomi dhe sektorin financiar. Besoni se është e nevojshme që edhe institucionet e tjera, që kanë nënshkruar memorandumin, duhet të ndërmarrin masa të këtij lloji? Më konkretisht, mendoni se Shqipëria duhet të ndalojë apo kufizojë përdorimin e valutave të huaja në transaksionet e brendshme ekonomike?

Memorandumi përcakton që objektivi i strategjisë së deeuroizimit është që të krijojë kushtet dhe stimujt e nevojshëm për të ndikuar gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme, në zvogëlimin e shkallës së përdorimit të monedhave të huaja, dhe si rezultat, në fuqizimin e shkallës së përdorimit të monedhës kombëtare, në sistemin financiar dhe në ekonominë e vendit, në përputhje me qëllimin për forcimin e efektivitetit të politikës monetare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Grupi i parë i masave të parashikuara në strategji lidhet me fushën e veprimit të politikës fiskale dhe përmirësime të tjera ligjore, për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, uljen e informalitetit në ekonomi, zhvillimin e tregut financiar dhe përmirësimin e kërkesave ligjore për të forcuar zbatueshmërinë e tyre për përdorimin e Lekut në transaksionet mes agjentëve ekonomikë.

Në grupin e dytë të masave përfshihen veprimet e politikës monetare dhe mbikëqyrëse mbi bankat dhe institucionet e tjera financiare, me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë së mjedisit makroekonomik, zhvillimin e tregut financiar dhe të sistemeve të pagesave dhe rritjen e shkallës së përdorimit të Lekut në sistemin financiar.

Masat e tjera që mund të zbatohen nga secili prej institucioneve nënshkruese të memorandumit ose në bashkëpunim midis tyre, mund të jenë masa që vlerësohen të nevojshme në kuadër të zbatimit të strategjisë. Po kështu, palët janë angazhuar që, në veprimtarinë e tyre, të kujdesen që të përkthejnë dhe komunikojnë në monedhën kombëtare, të gjitha vlerat që shoqërojnë marrëdhëniet dhe raportet financiare, në rastet kur kjo nuk kufizohet nga kërkesat ligjore, kontraktuale apo standarde të tjera dhe kur nuk cenohet perceptimi mbi vlerën apo natyrën e veprimtarisë.

Angazhimi konkret i Ministrisë së Financave në këtë strategji lidhet me realizimin e politikave që synojnë ruajtjen dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së borxhit publik; rritjen e preferencës për monedhën vendase gjatë huamarrjes nëpërmjet emetimit të titujve të borxhit; krijimin e një strukture sa më të plotë të maturimit të titujve të borxhit në Lek; zhvillimin e mëtejshëm të tregut primar dhe sekondar të titujve të borxhit në lek; përdorimin e instrumenteve të politikës fiskale dhe përmirësime ligjore që ndihmojnë për të nxitur formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe rritjen e preferencës së agjentëve ekonomikë për përdorimin e monedhës vendase në transaksionet financiare dhe ato të kursimit; si edhe, më vete ose në bashkëpunim me agjenci të tjera, ndërmarrjen ose mbështetjen e veprimeve ligjore ose operacionale që mbështesin zgjerimin e shkallës së përdorimit të Lekut në shlyerjen e detyrimeve financiare të agjentëve të ekonomisë.

Një pjesë e mirë e këtyre masave të lidhura kryesisht me qëndrueshmërinë dhe strukturën e borxhit publik, zhvillimin dhe rregullimin më të mirë të tregut primar dhe sekondar të letrave me vlerë të qeverisë, si edhe masat për rritjen e shkallës së formalizimit të ekonomisë, janë procese që kanë vijuar dhe kanë dhënë rezultate pozitive gjatë kësaj periudhe.

Masa të tjera që kanë të bëjnë me krijimin e mekanizmave nxitës për të shtuar masën e përdorimit të Lekut në transaksionet ekonomike dhe financiare si investimet, kursimet apo shlyerjen e detyrimeve të bizneseve dhe individëve që kanë nevojë të konceptohen, duke konsideruar me kujdes marrëdhëniet ekonomike dhe financiare që rregullohen nga kontrata apo marrëveshje midis subjekteve private sipas pëlqimit, kushteve, natyrës së biznesit dhe burimeve të të ardhurave të tyre.

Në të shumtën e rasteve, këto masa duhet të konceptohen dhe zbatohen si masa të një natyre nxitëse, për sa kohë që nuk parashikohet ndryshe nga kuadri ligjor/rregullator.  Me fjalë të tjera, në thelb të kësaj strategjie, nuk qëndron dhe nuk parashikohet ndalimi apo kufizimi formal i përdorimit të valutave, por krijimi i kushteve dhe i mekanizmave që mbështesin përdorimin e monedhës vendase në rastet kur përdorimi i valutës nuk është i kushtëzuar nga natyra dhe kërkesat ligjore ose kontraktuale që rregullojnë një marrëdhënie financiare.

Si mund të ndikojë luhatshmëria e shtuar e kursit të këmbimit gjatë këtij viti në përdorimin e Euros, si monedhë për kryerjen e transaksioneve në ekonominë shqiptare?

Në parim, një luhatshmëri më e lartë e kursit të këmbimit duhet të rrisë ndërgjegjësimin për rrezikun që ka përdorimi i panevojshëm i monedhave të huaja në transaksionet tregtare dhe financiare midis operatorëve ekonomikë në vend, si dhe të dekurajojë përdorimin e tyre.

Gjithsesi, Banka e Shqipërisë ka sugjeruar dhe këmbëngulur në vazhdimësi që operatorët ekonomikë të vendit, bizneset dhe familjet, të shmangin përdorimin e panevojshëm të valutave të huaja, si në transaksionet e tyre tregtare, ashtu edhe në kursimet apo huamarrjen financiare.

Në parim, përdorimi i një monedhe të huaj për transaksione tregtare apo financiare është i arsyeshëm në atë masë dhe për sa kohë kjo monedhë përfaqëson fluksin kryesor të të ardhurave (në rastin e huamarrjes) apo të shpenzimeve (në rastin e kursimeve) të biznesit ose familjes. Në të kundërt, çdo përdorim tjetër i monedhës së huaj i ekspozon agjentët ekonomikë të vendit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Megjithatë, vlen të përmenden edhe dy konsiderata të tjera:

– Së pari, rritja e shkëmbimeve tregtare me botën – si në terma nominalë dhe në terma relativë ndaj PPB-së – tenton të shoqërohet me një përdorim më të lartë të valutës së huaj në transaksionet tregtare. Ky zhvillim ka qenë i dukshëm gjatë dy viteve të fundit ku rritja e shpejtë e eksporteve – dhe në veçanti e turizmit – ka sjellë dhe një përdorim të shtuar të valutës për transaksione.

– Së dyti, është me rëndësi të theksohet se zhvillimi i vazhdueshëm i sistemit të pagesave ka reduktuar koston e tyre, duke inkurajuar pagesat elektronike me kosto minimale midis agjentëve ekonomikë. Në gjykimin tonë, në afat të gjatë, ky zhvillim do të nxisë përdorimin gjithnjë e më të lartë të monedhës kombëtare.

Megjithëse Euro është zhvlerësuar ndjeshëm në kursin e këmbimit me Lekun në vitet e fundit, pesha e saj në strukturën e depozitave bankare është në rritje. Pse po ndodh një gjë e tillë?

Depozitat në Lek janë rritur me ritme të shpejta gjatë viteve 2020-2021 dhe janë ngadalësuar disi gjatë periudhës në vazhdim, ndërkohë që depozitat në valutë, të dominuara nga depozitat në Euro, janë rritur vrullshëm gjatë tre viteve të fundit.

Zgjerimi i depozitave në valutë është vënë re si në depozitat e bizneseve, ashtu edhe në ato të individëve. Të dy sektorët kanë përfituar nga flukset e larta hyrëse valutore kryesisht në formën e eksportit të shërbimeve dhe Investimeve të Huaja Direkte. Përmirësimi i likuiditetit të bizneseve në valutë, si pasojë e flukseve të rritura valutore, ka rezultuar në zgjerimin e llogarive rrjedhëse në valutë të këtij sektori.

Rritja e kredisë në valutë është gjithashtu një faktor që kontribuon në rritjen e depozitave të bizneseve në valutë, qoftë për bizneset kredimarrëse, qoftë për bizneset e tjera me të cilat ndërveprojnë subjektet kredimarrëse. Flukset e larta valutore hyrëse kanë mbështetur gjithashtu rritjen e depozitave të individëve në valutë, ndërsa rritja e normave të interesit gjatë kësaj periudhe ka favorizuar rimëkëmbjen e depozitave me afat në valutë.

Rritja e normave të interesit do të ishte një motivim për rritjen e depozitave me afat në Lek, por kjo formë kursimi konkurrohet nga mundësia për investimin e kursimeve në letra me vlerë të qeverisë apo në fondet e investimit, që kanë regjistruar rritje gjatë kësaj periudhe.

Në përgjithësi, edhe në periudha të mëparshme gjatë të cilave janë konstatuar ndryshime në kursin e këmbimit, luhatjet në kursin e këmbimit në secilin kah nuk kanë rezultuar në zhvendosjen e kursimeve nga një monedhë në një tjetër. Konvertimi i depozitave me afat paraqet kosto për depozituesin, ndërsa konvertimi i llogarive rrjedhëse do të sillte vështirësi për menaxhimin e likuiditetit dhe ekzekutimin e kontratave për sektorin e biznesit, duke shtuar në çdo hallkë rrezikun e kursit të këmbimit.

Si e vlerësoni shkallën e ekspozimit të sektorit financiar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit?

Rreziku i kursit të këmbimit, i cili së bashku me rrezikun e normave të interesit përfaqëson një nga rreziqet kryesore të tregut, monitorohet dhe analizohet rregullisht nga Banka e Shqipërisë në analizat makroprudenciale dhe ato të stabilitetit financiar. Sipas vlerësimeve më të fundit, treguesit e rrezikut të drejtpërdrejtë dhe atij të tërthortë të kursit të këmbimit sugjerojnë një shkallë të kontrolluar dhe të ulët të ekspozimit të sektorit financiar.

Pozicioni i hapur valutor i sektorit bankar, me një vlerë sa rreth 8% e kapitalit rregullator, është disa herë më i ulët nga kufiri i sipërm rregullator prej 30% dhe është paraqitur i qëndrueshëm gjatë viteve të fundit, duke reflektuar një ekspozim të kufizuar të bankave ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë të kursit të këmbimit. Treguesi i rrezikut të tërthortë të kursit të këmbimit që përfshin aktivet dhe pasivet e bankave dhe kredinë e bankave në valutë gjithashtu sugjeron një ekspozim të ulët dhe në rënie të bankave ndaj këtij rreziku, të ndikuar nga një shpërndarje e balancuar e valutës në të dyja anët e bilancit të bankave.

Forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit ka shkaktuar humbje për bizneset eksportuese të mallrave dhe shërbimeve. Si mund të përballet sektori eksportues me efektet e forcimit të monedhës dhe cilat mund të jenë mënyrat për të zbutur efektet negative të mbiçmimit të Lekut mbi këto biznese?

Sikundër e kemi theksuar, trendi forcues që monedha jonë kombëtare, Leku, ka pasur kundrejt valutave gjatë dy viteve të fundit është diktuar nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare me jashtë.

Një faktor me rëndësi që ka ndikuar në këtë ecuri është edhe rritja e vazhdueshme e eksporteve shqiptare, e cila ka sjellë përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e ofertës së valutës në tregun vendas. Në këtë kontekst, duhet theksuar se forcimi i kursit të këmbimit, më tepër se një problem për sektorin eksportues shqiptar në tërësi, është dëshmi e suksesit të tij. Kjo ecuri duket edhe nga gjendja e mirë e likuiditetit të bizneseve shqiptare, e dëshmuar si nga rritja e shpejtë e depozitave ashtu edhe nga qëndrueshmëria e aftësisë paguese të tyre.

Megjithatë, ruajtja e këtij trendi pozitiv kërkon rritjen e vazhdueshme të produktivitetit, investimin e vazhdueshëm në makineri e pajisje dhe procese më eficiente teknologjike, kontrollin e kujdesshëm të kostove, si dhe gjetjen e tregjeve të reja.

Gjithashtu, duhet theksuar se luhatjet e shtuara, si dhe lëvizjet e shpejta të kursit të këmbimit, mund sjellin të surpriza për bizneset dhe të vështirësojnë parashikimin dhe administrimin e flukseve të tyre financiare. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka theksuar nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë midis bizneseve shqiptare dhe industrisë financiare, dhe në veçanti sektorit bankar, sidomos në drejtim të administrimit të rreziqeve financiare dhe mbrojtjes nga luhatjet e kursit të këmbimit.

Në kushtet e euroizimit të lartë të ekonomisë dhe një ekspozimi në rritje ndaj rreziqeve të luhatjes së kursit të këmbimit, besoni se për Shqipërinë mund të jetë një alternativë realiste adoptimi i njëanshëm i Euros si monedhë e vetme në transaksionet ekonomike, në shembullin e Kosovës dhe Malit të Zi?

Adoptimi i njëanshëm i Euros i monedhë zyrtare, si në rastin e Kosovës dhe të Malit të Zi, është një opsion i pamundur për vendet të cilat janë jashtë Bashkimit Europian. Si Komisioni Europian, edhe Banka Qendrore Europiane, e kanë bërë të qartë këtë pozicion, duke theksuar se adoptimi i kësaj forme të regjimit monetar nga Kosova dhe Mali i Zi u miratua prej tyre si një zgjidhje përjashtimore dhe e motivuar – më së pari – nga konsiderata të natyrës politike në momentin e pavarësisë së tyre.

Gjithsesi, adoptimi i një regjimi fiks apo të menaxhuar të kursit të këmbimit është një opsion teorik për një vend si Shqipëria. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë dëshiron të ritheksojë gjykimin e saj se regjimi aktual i kursit fleksibël të këmbimit është opsioni më i mirë për një vend në tranzicion si Shqipëria.

Ky regjim i mundëson Bankës së Shqipërisë të ndjekë një politikë monetare të pavarur, e cila lehtëson përballimin e goditjeve të brendshme ekonomike dhe ofron një kuadër më të mirë për stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik të vendit. Gjithashtu, ai ruan rolin e stabilizatorit automatik të kursit të këmbimit në përballimin e goditjeve të huaja. Së fundi, por po aq e rëndësishme, regjimi i lirë i kursit të këmbimit nxit zhvillimin e tregjeve financiare dhe – përmes ruajtjes së rolit të Bankës Qendrore si huadhënës i instancës së fundit – ndihmon stabilitetin financiar të vendit.

 

Arena e Lajmit

BSH: Rezultatet e deeuroizimit të vogla, por adoptimi i njëanshëm i Euros nuk është alternativë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook